Covid-19 i merr jetën gazetares dhe shkrimtares së njohur, Zenepe Luka

Gazetarja dhe shkrimtarja e njohur, Zenepe Luka ka ndërruar jetë pas infektimit me koronavirus. Prej disa ditësh, ajo ishte shtruar në spitalin Infektiv në Tiranë, por nuk mundi ta fitojë betejën me virusin.

Zenepe Luka është një emër shumë i njohur, jo vetëm për qytetin e Vlorës, por në të gjithë hapësirën mediatike. Ajo ka rriskuar, si askush tjetër për periudhën kur ishte gazetare e gazetës “Koha Jonë” në Vlorë, duke provuar dhunën e policisë, presionet e trafikantëve, për të mbërritur në aktin fundamentalist, vendosjen e tritolit në banesë më 10 maj të vitit 1998., ku u shkatërrua banesa dhe u plagosën dy fëmijët.

Gazetarja është vlerësuar nga lexuesit, ndërsa është përballur me presione të pushtetarëve që janë kritikuar prej saj. Zenepe Luka është vlerësuar nga këngëtari i madh italian, Al Bano Karrisi, që i ka akorduar Premion” Zenepe Luka është Oriana Falasci shqiptare”.

Me rastin e 45 vjetorit të karierës, Unioni i Gazetarëve të Shqipërisë, e vlerësoi me “Mirënjohje”,  ndërsa Unioni i gazetarëve në Vlorë me çmimin “Petro Marko”.