Shqipëria

Çobani: I denoncova se mbollën lëndë narkotike, nuk më japin rrogën e 5 muajve


               Publikuar në : 20:38 - 21/10/19 M. S

Një çoban ankohet në Fiks Fare se nuk ka marrë rrogën e 5 muajve. Behar Alsani ankohet se pronarët për të cilët ka punuar për plot 5 muaj nuk e kanë paguar, pasi ai i ka denoncuar se kanë mbjellë hashash.

“Kam punuar çoban në Orikum, te një familje. Kishin shumë lopë dhe i çoja në Karaburun. Unë jam nga Çerma e Lushnjes, dhe këtu nuk punoja. Kam punuar edhe më parë atje, dhe më morën në telefon që të punoja se u kishte vdekur babai. Më thanë do e kesh rrogën në fillim 200 mijë, më pas 170 dhe më vonë 150”, thotë Behari.

Ai pohon se ka punuar disa muaj, dhe nuk i kanë dhënë asgjë.

“Një ditë shkoj me lopët që tu jap ujë në një burim në Karaburun. Te burimi shikoj 23 rrënjë kanabis. Pronari më tha se nëse hap gojën, do e kisha keq. Nuk hapa gojë. Pas disa ditësh më thonë të shkoja ti vadisja. Nuk pranova, por ata s’më dhanë asnjë pagë. Në fund të muajit gusht, denoncova në policinë e Orikumit”, vijon më tej çobani.

Ai shton se ka shkuar te vendi ku u mboll hashash bashkë me policët.

“Shkoj dhe në Policinë e Vlorës, bëj deklarime dhe më thanë të iki në Çermë. Më lanë në mes të Vlorës, s’kisha asnjë lekë. Erdhi njëri nga Librazhdi dhe më mori. Unë kërkoj lekët e mia, pagat e 5 muajve. Di që ata u shoqëruan dhe ndejtën në burg, por kam mësuar se janë liruar sërish. Drogën e kishin ata që punoja unë”, përfundoi çobani.

Më tej ai mori në telefon një nga pronarët, dhe i kërkoi lekët e pagave. Pronari i kërkon llogari se përse iku në atë mënyrë. Ndërkohë, çobani i kërkon se ku është i vëllai dhe pse nuk ia hap telefonin.

“Të ka marrë malli për të”, është përgjigjja e pronarit, ndërsa çobani i kërkon sërish paratë dhe i përmend edhe lëndën narkotike. “Po drogën unë e mbolla”, i thotë Behari, ndërsa pronari ia kthen se “ik thyej qafën”. /Top Channel

 

Kthehu
WhatsApp Denonco ne TT