Ministrja Kushi: Javën tjetër, të gjithë nxënësit rikthehen në shkolla

Pasi Komiteti Teknik i Ekspertëve rekomandoi që mësimi mund të fillonte rregullisht në shkolla, Ministria e Arsimit ka vendosur që të pranojë këtë propozim.

Ministrja Evis Kushi deklaroi se të gjithë nxënësit nga klasa 1-12 do të fillojnë mësimin në shkolla duke filluar nga dita e hënë.

Ajo bëri thirrje për respektim të masave, pasi ende beteja me koronavirusin nuk është fituar.

Deklarata e Kushit në rrjetin social, Facebook

Javën tjetër rihapen shkollat

Deri këtu ia kemi dalë me sukses vetëm falë bashkëpunimit, mirëkuptimit dhe solidaritetit që treguam për njëri-tjetrin.

Duke njoftuar me kënaqësi hapjen e rrugës për rikthimin e të gjithë nxënësve, prindërve dhe mësuesve në shkolla, mbetet absolutisht e domosdoshme që të mos harrojmë, se lufta që po fitojmë ende nuk ka mbaruar.

Prandaj suksese në këtë fundvit shkollor të gjithëve dhe një apel për të gjithë, që të vazhdojmë të respektojmë rregullat për t’ia dalë deri në fund.