Champions/ Mbape kërkon fronin e Mesit

Po përflitet shumë për pasuesin e Messit dhe Ronaldos në majën e futbollit botëror dhe në skenë ka dalë padyshim emri i talentit fenomenal francez, Kilian Mbapesë.

Me tri gola në fitoren 1-4, në “Camp Nou”, Kilinai i dha sinjale të forta botës së futbollit teksa goditi “mbretin” në oborrin e tij. Por a do të bëhet Mbapeja ‘vrasës mbreti’ duke i marrë vendin në piedestal atij, Leo Mesit? Ndoshta gjithçka nis nga një eleminim që PSG-ja mund ti shkaktojë sonte Barcelonës dhe siç duken bathët kështu ka për të ngjarë. Megjithatë në futboll kurrë nuk ka përfunduar asgjë derisa të dëgjohet vërshëllima finale dhe këtë më së miri e dinë parizienët.

Ironia e historisë që përsëritet na sjell në një mbrëmje si kjo e sotmja, kur fiks si në 2017-ën Parisi vjen më avantazh të theksuar përballë një Barcelone me Mesin në fushë.

“Po i mbushni titujt me “Remontada”,- u përgjigj mbrojtësi i PSG-së Abdou Diallo të shtunën kur u pyet për ndeshjen e sotme. “Ndoshta më parë ka ndodhur por tani ka lojtarë tërësisht të rinj dhe është krejtësisht ndryshe. Nuk ka stres sot”.

Nëse do të shënonte sërish sonte, Kilian Mbape do t’i merrte dhe një rekord tjetër Leo Messit, atë të arritje së 25 golave në Champions më shpejt se ‘pleshti’,  206 ditë më i ri në moshë sesa kur Leo e arriti këtë kuotë.

Dëmtimet dhe formacionet

Neymar përsëri do të humbë shansin për tu përballur me Barcelonën për herë të parë që nga largimi nga klubi. Braziliani u largua nga Barça katër vite më parë, por iu ‘mohua’ një takim me të shkuarën muajin e kaluar pasi pësoi një dëmtim në ijë para ndeshjes së parë.

Lexo edhe :   Video/ Fitorja nuk i mjafton Bajernit, PSG kualifikohet në gjysmëfinale

Angel Di Maria dhe mbrojtësi i djathtë Alessandro Florenzi u kthyen gjithashtu nga dëmtimi, duke lënë vetëm Moise Kean (koronavirus) dhe Juan Bernat (ACL) si mungesa.

Barcelona ka shumë për të bërë dhe Ronald Koeman duhet të vazhdojë me eksperimentin e tij 3-4-1-2, i cili ka funksionuar javët e fundit.

Mungesa e mundshme e Jordi Alba-s , mbrojtësi i majtë u dëmtua kundër Osasunës, mund të jetë ndryshimi i vetëm nga fitorja e fundjavës, me Junior Firpo të gatshëm për të zëvëndësuar Albën.

Nga ana  tjetër, Gerard Pique, Ansu Fati, Philippe Coutinho dhe Sergi Roberto janë të gjithë jashtë. Ronald Araujo mund të kthehet.

Formacionet e mundshme:

PSG : Navas; Florenzi, Marquinhos, Kimpembe, Kurzaëa; Gueye, Paredes; Di Maria, Verratti, Mbappe; Icardi

Barcelona : Ter Stegen; Mingueza, Lenglet, Umtiti; Dest, De Jong, Busquets, Alba; Pedri; Messi, Griezmann