Deputetja Tatiana Nurçe ka mbajtur të enjten në Kuvend një fjalim prekës për 75-vjetorin e gjenocidit dhe spastrimit etnik mbi shqiptarët e Çamërisë. Për shkak të zhvillimeve dinamike, me fokus të veçantë mbi përgjimet e “Bild” e protestat e vazhdueshme të opozitës, fjalimi i saj nuk mori fokusin e duhur.
Deputetja socialiste i ka ngritur të gjithë në këmbë, duke i bërë të mbajnë një minutë heshtje, në nderim të atyre mijëra shpirtrave shqiptarësh që u vranë në masakrat e shovinistëve të padënuar.
Tatiana Nurçe prek deputetët on Vidnews.
Tatiana Nurçe, e njohur ndryshe si një nga “gratë e hekurta” e nisi fjalimin duke rrëfyer se si nëna e saj e lindur në Filat të Çamërisë, asokohe vetëm 7 vjeçe, pa me sytë e saj masakrën e tmerrshme ndaj mijëra grave, nënave e fëmijëve.
Gjatë fjalës së mbajtur në Kuvend, ajo tha se ky 75 vjetor duhet të jetë një moment reflektimi. Çështja çame s’mund të jetë atribut i një partie, por i një pajtimi të madh mes shqiptarësh. Deputetja shtoi më tej se mbetet me shpresë se qeveria shqiptare do ringrejë agjendën çame me shtetin fqinj, vetëm në kushtet e reciprocitetit të plotë.
Fjalimi i plotë
75 vjet më parë, një vajzë 7 vjeçe u bë dëshmitare se si e gjithë bota që njihte, u shua brenda pak ditësh. Me aq sa mbanin duart, ajo udhëtoi për ditë të tëra nën frikën e plumbave, nën vapën përvëluese të qershorit, pa me sytë e saj tragjedinë më të madhe të shqiptarëve në kohët e sotme, genocidin ndaj shqiptarëve të Çamërisë.
Kjo vajzë ishte nëna ime, e lindur në Filat të Çamërisë, e që kurrë nuk realizoi dot ëndrrën e saj, për të parë edhe njëherë vendin ku lindi. Drama e saj është drama e gjithë shqiptarëve e jetuar në tri kohë, e larguar mes dhunës e genocidit, e keqtrajtuar nga diktatura komuniste, e mohuar gjatë tranzicionit.
Ndaj, për mua sot është një emocion i madh t’i drejtohem Parlamentit të shqiptarëve, si një bijë e Çamërisë që nuk harron. 27 Qershori është jubile i veçantë. 75 vite më parë, dhjetëra mijëra shqiptarë të Çamërisë u larguan nga trojet e tyre shekullore, mes tyre mijëra të vrarë për faktin e thjeshtë se flisnin shqip e besonin në fe tjetër.
Thonë që një komb që mohon të kaluarën e vet, nuk ka ta të ardhme. Kombi shqiptar ka fituar të drejtën të jetë pjesë e kombeve të qytetëruara, dhe si i tillë, ka detyrimin që anëtarëve të tij t’u kthejë drejtësinë e munguar. Ky Parlament ka miratuar një Rezolutë që detyron qeverinë shqiptare të shtojë përpjekjet për zgjidhjen e çështjes çame.
Unë jam krenare që kam mbështetur këtë qeveri, e cila vendosi këtë çështje në tryzën e bisedimeve me palën greke, si një çështje e cila duket të zgjidhet në praktikën më të mirë ndërkombëtare, atë të të drejtave të njeriut.
Çështja çame kurrë nuk ka qënë çështje pronash, apo çështje që të varet nga mëshira e shtetit grek. Kjo çështje, o zgjidhet si një e drejtë e munguar, o nuk zgjidhet fare. Nuk do ketë qetësi për shtetin shqiptar, deri në zgjidhjen e plotë të çështjes çame.
Ky 75 vjetor duhet të jetë një moment reflektimi. Çështja çame s’mund të jetë atribut i një partie, por i një pajtimi të madh mes shqiptarësh. Unë kam besim se qeveria shqiptare do ringrejë agjendën çame me shtetin fqinj, vetëm në kushtet e reciprocitetit të plotë. Por të dashur shqiptarë, çështja çame nuk është vetëm zbatimi i një rezolute.
Java Çame duhej të jetë pjesë e përkujtimeve zyrtare të shtetit shqiptar, që përmes saj, shqiptarët të bashkohen në përkujtimin e genocidit të pandërshkuar, dhe në përkujtimin e atyre mijërave të pafajshmëve që presin drejtësi. Kurikulat mësimore duhet të përfshijnë edukimin e brezit të ri. Ndaj, nga kjo foltore, shpreh nevojën e hartimit të një praktike kujtese, që Java Çame të jetë Java Shqiptare.
Në ditët e sotme përballemi me probleme të shumta. Ëndrra e shqiptarëve për t’ju bashkuar kombeve në Bashkimin Europian është prioritet. Por ne s’mund të bëhemi pjesë e kësaj familje kombesh, të gjymtuar. Askush nuk mund të na detyrojë që të mohojmë të kaluarën. Ndaj, nga kjo sallë, unë bëj thirrje për bashkim dhe mbështetje në përpjekjen e qeverisë shqiptare, që këtë çështje ta mbajë në agjendë, asgjë më shumë dhe asgjë më pak, por vetëm si çështje të drejtave të njeriut. Interesi kombëtar nuk do të negociohet, dhe herët e vonë, do jemi pjesë e Bashkimit Europian si të barabartë, mes të barabartëve.
Dua të shpreh një mirënjohje të madhe për të gjithë komunitetin çam në Shqipëri. Edhe pse të mohuar, të nëpërkëmbur, ata qendruan kokëlartë dhe sot meritojnë përuljen e gjithë shqiptarëve. Me punë, ndershmëri dhe kurajo, ky komunitet i jep shpresë Shqipërisë se një ditë drejtësia do triumfojë. Dua të falenderoj edhe shqiptarët e Amerikës që përkujtuan genocidin ndaj shqiptarëve të Çamërisë, përmes atij tubimi madhështor e emocionues.
Dua të mbajmë një minutë heshtje, në nderim të atyre mijëra shpirtërave shqiptarësh të Çamërisë të humbur në masakrat e shovinistëve të padënuar. Sepse, është detyrimi ynë që Çamëria të mos harrohet.