Çdo ditë e më shumë qytetarët po përballen me frikën për të konsumuar një ushqim bio, pasi çdo gjë duket se është drejt skadencës. Pijet, ushqimet të cilat u ka kaluar skadenca, shiten pa më të voglin problem nga shitësit, e ndërsa jeta e konsumatorit është gjithmonë e më shumë në rrezik.
Prej ditësh, Autoriteti Kombëtar i ushqimit është duke kontrolluar tregjet në të gjithë vendin, pas skandaleve të njëpasnjëshme të bëra publike në media mbi perimet e rritura me hormone, apo falsifikimin e datës së skandencave në artikuj që gjejnë përdorim masiv në tregun shqiptar.
Bëhet fjalë për 20 ton produkte ushqimore të sekuestruara përgjatë muajve të fundit nga AKU. Sipas drejtorit të AKU-së, kontrollet do të vijojnë për garantimin e sigurisë ushqimore për konsumatorët.
Drejtori i AKU-së, dega Korçë, Daniel Bojko, deklaron se produktet janë bllokuar në muajt e fundit, ndërsa sot janë asgjësuar të gjitha. AKU bën me dije se janë bllokuar 11 ton erëza te ndryshme, 8 ton mish dhe 1700 pije energjike jashtë datës së skadencës.