E enjte, 16 Shtator, 2021
21.5 C
Tirana

Çfarë lidhje kanë trombozat me vaksinat anti-Covid?

Studiuesit dhe mjekët po përpiqen që të kuptojnë më mirë shkaqet e problemeve të rralla të qarkullimit të gjakut (trombozat), për të cilat dyshohet se kanë një lidhje të mundshme me vaksinën e koronavirusit të AstraZeneca, dhe siç u njoftua së fundmi edhe me vaksinën e Johnson & Johnson (J&J).

Këto efekte anësore, të konstatuara në shumë pak raste, kanë bërë që vende të ndryshme, përfshirë Italinë, të rekomandojnë që vaksina e AstraZeneca të përdoret tek njerëzit mbi 60 vjeç, të konsideruar si më pak të rrezikuar, pasi rastet e hasura deri më tani kanë ndodhur në mesin e më të rinjve.

Në SHBA, përdorimi i vaksinës J&J është pezulluar që nga e hëna, ashtu si edhe dërgimi i furnizimeve të para në Evropë, në pritje të sqarimit nga autoritetet e shëndetit publik. Përveç raportimit të një “lidhje të mundshme” midis vaksinës dhe trombozës së rrallë, Agjencia Evropiane e Barnave (EMA) konfirmoi javën e kaluar se përfitimet nga vaksinimi i tejkalojnë rreziqet e Covid-19.

Vaksina e AstraZeneca, ashtu si të tjerat të autorizuara në Perëndim, i mbron njerëzit nga format e rënda të sëmundjes dhe cilësohet bashkë me vaksinat e tjera si thelbësore për të reduktuar shtrimet në spital dhe vdekjet për shkak të pandemisë. Trombozë mund të shkaktojnë edhe shumë ilaçe, ndaj studiuesit duan qëtë hetojnë lidhjen e mundshme me vaksinën, në mënyrë që t’i parandalojnë ose të paktën t’i trajtojnë në mënyrë më efektive rastet e rralla.

Në përgjithësi, tromboza është një gjendje në të cilën formohen masa të vogla të ngurta në enët e gjakut, të cilat parandalojnë qarkullimin normal të gjakut në inde. Ekzistojnë lloje të ndryshme trombozash. Ato më të zakonshmet prekin zakonisht gjymtyrët, por gjithsesi me rreziqe serioze nëse mpiksjet arrijnë në organe të caktuara, siç janë mushkëritë.

Tromboza është një problem shëndetësor, që në përgjithësi prek më shumë njerëzit me predispozita të veçanta. Gjithashtu, ajo mund të prekë ata që pinë duhan, që kanë njëstil jetese jo shumë të shëndetshëm apo që pinë ilaçe të veçanta. Rastet e trombozës janë normalisht të pranishme në mesin e popullatës prandaj është e parashikueshme që ato të zbulohen gjithashtu në miliona individë të vaksinuar.

Kjo nuk do të thotë se shkaku është domosdoshmërisht vaksina. Megjithatë javët e fundit autoritetet e kontrollit kanë vërejtur se diçka nuk po shkonte siç pritej, për shkak të një incidencë më të lartë (gjithsesi po flasim për disa dhjetëra raste nga miliona të vaksinuar) të formave të veçanta dhe të rralla të trombozës.

Mbledhja progresive e të dhënave shëndetësore mbi reagimet e rralla anësore ndaj vaksinës AstraZeneca,ka nxitur disa mjekë dhe studiues të flasin për “ngjarje tromboembolike pas vaksinimit” (VIPIT). Por jo të gjithë janë të bindur se përkufizimi është i duhuri, pasi termi “pas vaksinimit” mund ta çojnë dikë të mendojë për ekzistencën e një lidhjeje shkakësore drejt së cilës ende nuk ka një siguri absolute.

Por përtej përkufizimit, ajo ku janë përqendruar testet dhe kërkimet, është “trombocitopenia”, një gjendje që përfshin një zvogëlim të trombociteve në gjak. Trombocitet kanë për detyrë që të ndalojnë rrjedhjet e gjakut nga enët, gjë që mund të ndodhi pas një dëmtimi të brendshëm midis organeve ose të jashtëm në rastin e një plage.

Lexo edhe :   200 milionë doza vaksinash për vendet e varfra 

Nëse përqendrimi i tyre në gjak është i ulët, gjakderdhja mund të jetë e vështirë që të ndalet dhe kontrollohet. Njerëzit mund të vuajnë nga trombocitopenia për shkaqe të trashëgueshme, si pasojë e mënyrës jo të shëndetshme të jetesës apo nga marrja së ilaçeve të caktuara. Janë me qindra prej tyre që e rrisin rrezikun, edhe pse në shumicën e rrethanave incidenca e rasteve është jashtëzakonisht e ulët.

Një VIPIT mund të shkaktojë dhimbje koke, dhimbje barku dhe probleme me shikimin, simptoma të ngjashme me ato për shkak të trombocitopenisë nga shkaqe të tjera. Në disa raste më të rralla, gjendja mund të çojë në formimin e mpiksjes së gjakut në enët që furnizojnë trurin me gjak.

Lexo edhe :   200 milionë doza vaksinash për vendet e varfra 

EMA njoftoi se kishte marrë 169 raporte të rasteve të trombozës së sinusit venoz cerebral nga rreth 25 milion njerëz që e kanë marrë këtë vaksinë deri më 4 prill. Gjithashtu, janë raportuar disa dhjetëra raste të koagulimit intravaskular të shpërndarë, një gjendje që çon në formimin e mpiksjeve të gjakut në pjesë të ndryshme të trupit.

Përveç vlerësimeve të enteve rregullatore, ditët e fundit janë botuar 2 studime mbi këtë çështje në revistën shkencore “New England Journal of Medicine”. E para u krye në Gjermani dhe bazohet në përvojën e 11 pacientëve, përfshirë 9 gra të moshës 22-49 vjeç, të cilat kishin një ose më shumë mpiksje gjaku 5-16 ditë pas marrjes së vaksinës.

Gjashtë nga njëmbëdhjetë pacientë vdiqën, njëri prej tyre nga hemorragjia cerebrale. Autorët besojnë se ka prova të qarta se në disa raste të rralla vaksina AstraZeneca shkakton prodhimin e antitrupave të cilët më pas ndërveprojnë me trombocitet. Por nuk ka ende mekanizma për të parashikuar nëse një individ i zhvillon ato apo jo.

Analizat e 1.4 milion të vaksinuarve me AstraZeneca në Gjermani çuan në identifikimin e 40 rasteve. Studiuesit raportojnë se nëse vetëm vaksina po i shkaktonte këto probleme, pa ndonjë faktor individual, do të zbuloheshin shumë më tepër raste. Ata rekomandojnë identifikimin e hershëm të efekteve të tilla.

Studimi i dytë u krye në Norvegji dhe përfshiu 5 individë, një burrë dhe katër gra midis moshës 32-54 vjeç, të cilët pësuan trombozë 7-10 ditë pas vaksinimit me AstraZeneca. Tre nga pesë prej tyre vdiqën nga komplikacionet. Studiuesit gjetën nivele të larta të antitrupave që prekin trombocitet tek të gjithë pacientët.

Ata kanë hipotetizuar se vaksina e AstraZeneca përdor një adenovirus që është i zakonshëm tek shimpanzetë, por që tek njeriu e nxit sistemin imunitar të prodhojë një përgjigje që ndërhyn tek trombocitet.

Studiues të tjerë kanë hipotetizuar se plaga e vogël në vendin e injeksionit, së bashku me vaksinën, mund të jetë ajo që aktivizon përgjigjen imune që shkakton më pas trombocitopeninë. Të dyja hipotezat konsiderohen të besueshme, por deri më sot nuk është gjetur asnjë provë bindëse për t’i konfirmuar ato.

Burimi i lajmit: https://www.ilpost.it/2021/04/14/trombosi-astrazeneca-vaccino-coronavirus/

Përshtatur nga TIRANA TODAY

- Reklama -

Më shumë nga kategoria




Të fundit

E vetmja mënyrë për të trembur Ramën

Nga: Dritan Hila Tashmë që janë trajtuar të gjitha variablet e seriozitetit apo ambiguitetit të sjelljes së Bashës ndaj Berishës dhe pasojat që do ketë...

Nëndetëset me energji bërthamore, Kina denoncon paktin SHBA-Britani-Australi

Kina ka denoncuar një pakt historik të sigurisë midis SHBA, Britanisë së Madhe dhe Australisë, duke e përshkruar aleancën si "jashtëzakonisht të papërgjegjshme" dhe...

Mësimi nga mençuria e gjyqtarit Learned Hand

Nga: Irena Beqiraj Po jetojmë një periudhë të çmendur “skepticizmi” ndaj Amerikës. Mesazhet e shumë zyrtarëve të saj duken butaforike. Por historia na tregon që...

I zhdukur prej dy ditësh, 39-vjeçari gjendet pa shenja jete

Policia e Tiranës njofton se është gjetur pa shenja jete një 39-vjeçar në zonën e quajtur "Kodrat e Selitës". Policia ka indentifikuar viktimën, shtetasi...

“Shqipëria do monitorohet nga kamerat”, ministri Çuçi zbulon planin

Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, ka zbuluar sot në Kuvend objektivat e dikasterit që ai drejton në 4 vitet e ardhshme të 'Qeverisë Rama'....