Çfarë dyshohet? Pse u ekzekutuan sot dy persona në Lezhë

Dy ngjarje kriminale tronditën ditën e sotme Shqipërinë.

Katër të vrarë u regjistruan sot brenda pak orëve, dy në Durrës dhe dy në Lezhë.

Deri më tani policia nuk ka arrestuar asnjë autor për këto dy ngjarje kriminale, pavarësisht se vendi ndodhet nën mbikëqyrjen e forcave të policisë në kuadër të masave të marra kundër përhapjes së koronavirusit.

Në Lezhë u ekzekutuan me armë zjarri Preng Simoni 55 vjeç dhe Kolë Murrani 58 vjeç, rapsod i njohur në Lezhë. Bëhet me dije se rapsodi Murrani dhe miku i tij ishin nisur sot nga Lezha drejt vendlindjes, aty ku kishin edhe shtëpitë e tyre.

Familjarët janë shqetësuar pas disa orësh, pasi nuk po mundnin të komunikonin në telefon me ta. Kjo ka bërë që djali i rapsodit të nisej menjëherë drejt shtëpisë në fshat, aty ku edhe zbuloi trupin e pajetë të të atit dhe mikut të tij.

Sipas të dhënave, ka dyshime të forta që krimi në Lezhë mund të jetë kryer për motive pronësie.

Ndërkohë, mësohet se pranë vendit të krimit është gjetur një motor i braktisur, që dyshohet se e ka lënë autori i krimit, raporton “opinion”.