Kryesore

Çfarë do të bëhet me tubimin e 8 dhjetorit/ Meta zbardh vendimin që ka marrë


               Publikuar në : 22:03 - 03/12/19 M S

Kreu i Shtetit, Ilir Meta, thotë se në kushtet kur vendi po vuan pasojat tragjike të tërmetit të 26 nëntorit, ka vendosur ta shtyjë për një kohë të pacaktuar tubimin e thirrur prej tij në 8 dhjetor, për mbrojtjen e demokracisë dhe Kushtetutës. Ai u shpreh në emisionin “Përballë” në RTSH, se tashmë është momenti i bashkëpunimit, për t’ia dalë mbanë në këtë fatkeqësi që na ka kapluar. Ndonëse aktualisht fokusi është tek situata pas tërmeteve, Meta tha se nuk është se ka hequr dorë nga planet e tij. “Kjo është vetëm një rrugë, dhe është rruga e referendumeve”, tha ai ndër të tjera.

“Sigurisht që kjo situatë prevalon mbi çdo lloj iniciative tjetër. Tani është momenti i bashkëpunimit, i bashkëveprimit për të përballuar këtë fatkeqësi të madhe, me të cilën po ndeshet vendi, dhe sidomos mijëra e mijëra familje të qarkut të Tiranës, të qarkut të Durrësit, të qarkut të Lezhës, por edhe në zona të tjera që janë dëmtuar më pak.

Kjo është prioritare dhe sigurisht që nuk është koha dhe nuk është momenti për të krijuar apo për të mbajtur një fokus tjetër. Sigurisht që kjo nuk do të thotë se unë kam ndryshuar mendim, se cila është rruga që do të çojë Shqipërinë përpara dhe që do t’i bëjë shqiptarët të ndihen zot të vetes së tyre dhe të vendit të tyre.

Kjo është vetëm një rrugë, dhe është rruga e referendumeve, por natyrisht nuk është koha më 8 dhjetor për të tërhequr njerëzit nga terreni, nga ndihma, nga përkrahja që po u bëjnë bashkëqytetarëve të tyre”, përfundoi ai.

Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *

Kthehu
WhatsApp Denonco ne TT