Ndërmjetësuesi i Kombeve të Bashkuara për çështjen e emrit mes Maqedonisë dhe Greqisë, Metju Nimic, pas një pauze trevjeçare ka zbritur në Shkup në takime me drejtuesit e lartë shtetërorë dhe partiakë për t’i dhënë një shtyrje të re zgjidhjes së këtij problemi mbi 20 vjeçar.
Metju Nimic takohet me Zoran Zaev
Pas takimeve me kryeministrin e ri, Zoran Zaev dhe ministrin e Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov, i dërguar i OKB-së tha se kontesti me emrit po merr një vëmendje të re, zgjidhja e të cilit, siç tha ai, është e një rëndësie të madhe jo vetëm për dy vendet, por edhe për rajonin dhe Kombet e Bashkuara. Por, Nimiç tha se ende është herët të flitet për rezultate konkrete, meqë sipas tij, palëve u duhet kohë për shqyrtimin e pozicioneve deri në arritjen e një zgjidhjeje të pranueshme.
“Mendoj se duhet gjetur mënyra për intensifikimin e procesit. Gjatë muajve në vazhdim nuk presim ndryshime dramatike. Mendoj se nuk është koha e duhur për propozime konkrete. Dy palëve iu duhet një periudhë e caktuar për bisedime të ndërsjella. Kemi Qeveri të re dhe kontekst të ri në rajon, mendoj se punët do të shkojnë përpara, por nuk pres zhvillime dramatike muajve të ardhshëm”, deklaroi ndërmjetësuesi i OKB-së, Metju Nimic. Sipas tij, Zaev dhe Dimitrov kanë shfaqur interes serioz dhe vendosmëri për të trajtuar këtë çështje, që ka si qëllim arritjen e zgjidhjes përfundimtare.
“Nuk kemi biseduar për koncepte të reja konkrete për emrin. Nuk kam ardhur me propozim të ri, edhe Qeveria nuk ka paraqitur ndonjë pikëpamje të saj. Kemi biseduar për procesin dhe për relacionet, për pozitat e përgjithshme të Qeverisë që të jetë e hapur me fqinjët dhe t’i zgjidhë të gjitha problemet ekzistuese”, theksoi Nimic.
I pyetur se a pret përparim në qëndrime edhe nga pala greke, apo vijat e kuqe të saj për një zgjidhje gjithëpërfshirëse, Nimic tha se e pret një gjë të tillë nga të dyja palët, të cilat sipas tij, seriozisht duhet të mendojnë për pozicionet e tyre.
Nga qeveria e Maqedonisë përmes një njoftimi me shkrim është bërë e ditur se kryeministri Zoran Zaev ka vlerësuar pozitivisht klimën e re që po krijohet për zgjidhjen e këtij kontesti, nga i cili varet procesi i integrimit të vendit në NATO dhe BE, raporton REL.
“Unë dhe Qeveria e Maqedonisë jemi të përcaktuar të ecim drejt zgjidhjes së problemeve të qytetarëve të këtij vendi, andaj edhe zhvillojmë politika gjithëpërfshirëse për zgjidhjen e këtij problemi. Ne do të jemi transparent dhe jo të mbyllur si deri më tani. Në zgjidhjen e këtij problemi do të përfshihen të gjithë si pushteti, opozita, Kuvendi, Presidenti dhe të gjithë qytetarët”, thuhet të ketë deklaruar Zaev në takimin me Nimic.
Metju Nimic takohet Ali Ahmeti
Ndërmjetësuesi i OKB-së u takua edhe me kryetarin e Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, që shënon edhe takimin e parë të tij me një lider të partive shqiptare që kërkojnë përfshirjen në zgjidhjen e kontestit. Nimic tha se Ahmeti e ka inkurajuar që të vazhdojë me bisedimet pasi Maqedonia kërkon zgjidhje të mirë. Sa u përket shqiptarëve, kreu i BDI-së, tha se ata janë pjesë e këtij shtetit dhe se nuk kanë qenë asnjëherë indiferent ndaj kontestit, andaj edhe do të japin kontributin e tyre aty ku do të ketë nevojë.
Për shkak të moszgjidhjes së kontestit të emrit, Maqedonia tani dhjetë vjet nuk mund të anëtarësohet në NATO, ndërsa nuk mund të nisë as bisedimet për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Greqia thotë se procesin e integrimit të Maqedonisë do ta bllokojë deri në ndërrimin e emrit të saj kushtetues, që është i ngjashëm me emrin e krahinës së saj veriore.