Celibashi jep sqarimet e fundit: Ja 3 mënyrat si duhet votuar

Kreu i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, sqaroi për herë të fundit qytetarët, në lidhje me mënyrën e votimit ditën e nesërme.

Në një konferencë për mediat, Celibashi tha se ka tre mënyra votimi, që do të konsiderohen të vlefshme, pasi në të kundërt vota e qytetarëve do të jetë e pavlefshme.

Ndër të tjera, Celibashi u shpreh se se procesi i votimit do të nisë nesër në orën 07:00 në të gjithë Shqipërinë dhe çdo vonesë do të shoqërohet me sanksione të forta.

Ilirjan Celibashi: ”Me qëllim që vota të jetë e vlefshme, qytetari duhet të votojë me një nga tre mënyrat e bëra publike, votuesi mund të zgjedhë vetëm partinë ose koalicionin me shenjën e X ose + në kuadratin e bardhë; mund të zgjedh partinë ose koalicionin dhe vetëm njërin prej kandidatëve të asaj partie, që ai ka zgjedhur, me shenjën X ose + te kuadrati i numrit të kandidatit; votuesi mund të votojë vetëm për një kandidat, pra të bëjë shënimin vetëm në një prej numrave, që i korrespondon kandidatit që ai parapëlqen, me shenjën X ose + në kuadratin e numrit, pa qenë nevoja të vendosë shenjë te kuadrati i partisë apo koalicionin, që ky kandidat i përket.

Theksoj që në rastin e fundit, vota për kandidatin shkon si votë edhe për partinë politike apo koalicionin. Çdo mënyrë tjetër e votimit ka probabilitet të lartë që të konsiderohet e pavlefshme. Votuesit do të gjejnë informacion të plotë në hyrje të qendrës së votimit, në lidhje me kandidatët dhe numrat e tyre. Ata, që do të kenë dilema, për shkak të memories për numrin, mund ta marrë informacionin mbi atë se kujt kandidati i përket X numër jashtë QV, por edhe pranë zonës së fshehtësisë, do jenë vendosur emrat dhe numrat e kandidatëve.”