Analisti Andi Bushati komentoi sot aktualitetin politik në studion e emisionit “A Show” në News 24 me Adi Krastën.
Duke analizuar kryeministrin Rama, Bushati tha se kërkesa e opozitës për një qeveri provizore është e pamundur, kjo pasi kryeministri, siç tha ai e ka mbështetur pushtetin e tij në tre kolona të fuqishme.
“Qeveria provizore është e parealizueshme sepse Rama ka sot një pushtet të fuqishëm, të mbështetur në tre kolona. Të parët janë oligarkët, e dyta është lidhja me krimin dhe e treta pronarët e mediave. Ky trinom e bën të parrëzueshëm. E vetmja rrugë për tu përballur me Ramën nuk është që kur ha një shpullë t’i kthesh faqen tjetër”,- tha Bushati.
I pyetur nëse goditja e njërit nga ata që etiketohet si oligark (Bashkim Ulaj), a tregon krisje të sistemit oligarkik të Ramës, Bushati është përgjigjur kemi të bëjmë me një putinian pushteti dhe kjo nuk ndikon aspak.
“Unë mendoj që Rama është më tepër pranë një profili putinian pushteti ku Rama vetë bën ose zhbën oligarkë. E mbani mend kur Putini erdhi në pushtet si i shkarkoi të gjithë oligarkët që kishte trashëguar nga Jelcini? Por ama thelbin oligarkik të pushtetit e ruajti po aq të fortë dhe ngriti oligarkë të tjerë”.