Pas vendimit të Gjykatës për të dënuar me 1 vit burg ish-deputetin demokrat Ervin Salianji, ka reaguar menjëherë sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi.
Në një deklaratë për mediat, Bardhi lëshoi akuza të forta ndaj gjyqtarit që dha vendimin për çështjen “Babale”, Artan Gjermeni, të cilin e quajti anëtar të bandës së Lushnjës.
“Bashkëpunëtorët e tij janë anëtarët e bandës së Lushnjës. Mbajeni mend këtë që po ju them. Në momentin që zotëria do të dalë në vetting do të shikoni se kjo që po them është e vërtetë. Sot Salianji nuk u dënua nga drejtësia por nga një anëtar i bandës së Lushnjës.
I garantojmë të gjithë qytetarët që ky vendim për dënimin e përfaqësuesit të opozitës, Salianjin dhe gazetarin Jetmir Olldashin nuk na ndal në luftën kundrejt krimit të organizuar por na bënë më të fortë.
Ky është një fakt i mirënjohur. E ripërsëris se Artan Gjermeni në momentin e parë do të dalë në vetting do të shikoni se është anëtar i bandës së Lushnjës. Sot Salianji është dënuar nga banda e Lushnjës sepse sulmoi bandën e Agron Xhafajt.
Ky është një fakt për të cilin opinion publik e di. Artan Gjermeni përveçse është anëtar militant i PS-së është edhe pjesë e Lushnjës. Sot është bërë bashkë banda e Lushnjës me atë të Xhafaj. Ky dënim është rikonfirmim i kësaj aleancë”, deklaroi Bardhi.