Jemi në ditë festash të fundvitit dhe fëmijët kërkojnë të plasin sa më shumë kapsolle dhe fishekzjarrë. Policia e Maqedonisë u rikujton qytetarëve se shitja dhe përdorimi i armëve dhe mjeteve piroteknike dënohet me gjobë dhe burg. Ministria e Punëve të Brendshme të Maqedonisë këshillon qytetarët që të mos frikësohen vetëm nga gjobat dhe burgu, por të kenë kujdes për jetën e tyre, e cila mund të kërcënohet.
Policia rikujtoi se për ata “që do të qëllojnë me armë zjarri, do të përdorin mjete piroteknike ose eksploziv të lehtë, ose në mënyrë të ngjashme do të prishin rendin dhe sigurinë publike, do t’u vendoset gjobë nga 200 deri në 500 euro.
Ata që prodhojnë, mbajnë dhe shesin armë zjarri, municion, ose materie eksplozive do të dënohen me burg prej 3 deri në 10 vjet”, por nëse bëhet fjalë për sasi më të madhe të armatimit dhe municionit, dënimi minimal do të jetë pesë vjet burg, e në qoftë se shitja dhe prodhimi bëhet në grup të organizuar, dënimi miminal është tetë vjet burg.