Pas pak ditësh, konkretisht më datën 25 qershor, Banka e Shqipërisë do të hedhë në qarkullim monedhën e re 10 lekëshe.
Bëni mirë ta harroni 10 lekëshin që keni aktualisht në xhep, pasi ai i riu do jetë ndryshe. Pamja, përmasa dhe pesha do jenë të njëjta me 10 lekëshin aktual, mirëpo viti i stampuar dhe mënyra se si shkruhen fjalët “lekë” dhe “Shqipërisë” do jenë ndryshe.
BSH ka lajmëruar se viti i emetimit do jetë viti 2018-të, ndërsa fjalët “lekë” dhe “Shqipërisë” do shkruhen me “ë” dhe jo “e” siç është aktualisht.
Kujtojmë se brenda këtij viti, Banka e Shqipërisë pritet të hedhë në treg edhe kartëmonedhat e reja 200 dhe 5 mijë lekëshe, me një dizajn të ri, dhe po ashtu brenda dy viteve të ardhshme do të ndryshohen edhe kartëmonedhat e tjera. Vlen të theksohet gjithashtu fakti se do të prodhohet dhe hidhet në qarkullim për herë të parë prerja e re 10 mijë lekëshe.