Britania synon lehtësimin e masave duke testuar qytetarët dy herë në javë

Qytetarëve në Angli do t’u ofrohen falas dy herë në javë teste të shpejta për COVID-19, si pjesë e përpjekjeve për të lehtësuar masat izoluese dhe hapjen e dyqaneve, bareve dhe restoranteve në Britani.

Ndërsa qeveria britanike përgatitet për lehtësimin e masave izoluese, qytetarëve në Angli do t’u mundësohet testimi i vazhdueshëm për COVID-19.

Planet e paraqitura të hënën parashikojnë teste të shpejta për qytetarët dy herë në javë, për të parandaluar shpërthimin e rasteve të reja dhe gjurmimin e atyre që nuk shfaqin simptoma.

Kryeministri Boris Johnson pritet të konfirmojë hapjen e dyqaneve thelbësore, bizneseve që operojnë në mjedise të hapura dhe parukerive më 12 prill.

Ai po ashtu pritet të flasë mbi propozimin për pasaporta vaksine dhe udhëtimeve ndërkombëtare.

“Ndërsa vazhdojmë me përparim të mirë në programin tonë të vaksinimit dhe planin për lehtësimin me kujdes të masave, testet e rregullta të shpejta janë të rëndësishme që të sigurohemi se përpjekjet nuk shkojnë dëm”, tha zoti Johnosn në një deklaratë.

Në Britaninë e Madhe po zhvillohet një nga fushatat më të suksesshme të vaksinimit në botë.

Më shumë se gjysma e popullsisë së rritur është imunizuar me vaksinën AstraZeneca ose Pfizer.

Mbretëria e Bashkuar po lehtëson masat ndërsa në të gjithë Evropën vendet po i shtrëngojnë ato.

Megjithatë Britania vazhdon të jetë një nga vendet më të goditura nga pandemia me mbi 127 mijë vdekje, shifra e pestë më e lartë në gjithë botën.

Më 2020 Prodhimi i Brendshëm Bruto ra me 9.8 për qind, ulja më e madhe në më shumë se tre shekuj dhe një nga tkurrjet më të mëdha në botë./VOA/