E enjte, 2 Dhjetor, 2021
12.5 C
Tirana

Britania e Madhe në rrezik, Skocia mund të fitojë pavarësinë deri në vitin 2023

Nga Anthony Salamone “Eu Observer”

Skocia do të zgjedhë një parlament të ri muajin e ardhshëm. Politikanët e zgjuar nuk e humbasin asnjëherë rastin për t’i informuar votuesit se zgjedhjet e ardhshme janë më të rëndësishmet që janë zhvilluar ndonjëherë.

Në fakt,zgjedhjet e 6 majit do të jenë vërtet domethënëse, pasi do t’i japin përgjigje çështjes më të rëndësishme të politikës skoceze:asaj të pavarësisë nga Britania e Madhe. Çështja e pavarësisë përshkon praktikisht çdo aspekt të debatit politik në Skoci.

Brexit, pavarësisht se tani ka përfunduar si proces, i është bashkuar morisë së arsyeve për pavarësinë e Skocisë. Edhe pandemia është përdorur në këtë aspekt, dhe kryesisht si një provë që Skocia është më mirë në menaxhimin e saj sesa pjesa tjetër e Mbretërisë së Bashkuar, dhe kjo po përdoret si një dëshmi se Skocisë i duhet pavarësia për të pasur sukses edhe në çështje të tjera.

Por vendosja e çështjes së pavarësisë në qendër të debatit politik nuk është diçka e re. Dallimi është se edhe opinioni publik ka ndryshuar qasjen e tij. Midis qershorit 2020 dhe shkurtit 2021, 22 sondazhe të njëpasnjëshme treguan një shumicë të dukshme në favor të pavarësisë së Skocisë, por vetëm kur përjashtoheshin votuesit e pavendosur.

Kjo lloj mbështetje është e pashembullt në historinë moderne të Skocisë. Që nga marsi i këtij viti, sondazhet kanë treguar se opinioni pro dhe kundër pavarësinë është i ndarë në mënyrë të barabartë.

Votuesit aktualisht të pavendosur (rreth 10 për qind e elektoratit sipas sondazheve), mund të përcaktojnë përfundimisht rezultatin e një referendumi të ardhshëm për pavarësinë.

Por opinioni publik mund të evoluojë ende në qëndrimin e tij.

Në çdo rast, është e qartë se qëndrimet ndaj pavarësisë kanë ndryshuar që nga koha kur votuesit e refuzuan atë me rezultatin 55 për qind kundër dhe 45 për qind pro në referendumin e vitit 2014. Tashmë në lojë janë shumë faktorë.

Sondazhet sugjerojnë se njerëzit vlerësojnë shumë më tepër kryeministren skoceze Nikola Starxheon sesa kryeministrin e Mbretërisë së Bashkuar Boris Xhonson në raport me menaxhimin e situatës pandemike.

Megjithatë, çështja më e rëndësishme është Brexit. Skocia e refuzoi vendosmërisht Brexit në referendumin e 2016-ës në BE dhe në çdo zgjedhje pasuese. Mbështetja për integrimin evropian, është e përhapur tek të gjithë politikanët kryesorë skocezë.

Me Brexit që ka përfunduar zyrtarisht si proces, dhe me një marrëdhënie të zbehtë BE-Britani, nuk është për t’u habitur që më shumë votues skocezë tani duken më të gatshëm se më parë për pavarësinë. Që nga referendumi i Brexit, Starxheon ka kërkuar 2 herë të arrijë marrëveshje me qeverinë britanike për mbajtjen e një referendumi të ri për pavarësinë. Në vitin 2017 me Tereza Mejin, dhe në vitin 2019 me Borin Xhonsonin, por pa sukses. Zgjedhjet e 6 majit do të jenë kapitulli tjetër në këtë histori.

Sondazhet kanë sugjeruar për muaj me radhë se Partia Kombëtare Skoceze (SNP) e Starxheon do t’i fitojë zgjedhjet për parlamentin skocez. SNP, një parti centriste, pro pavarësisë dhe pro BE-së, e ka qeverisur Skocinë pa ndërprerje që nga viti 2007.

Çështja nuk është nëse SNP përfundon e para, por nëse ajo siguron një shumicë parlamentare. Në parlamentin në ikje, SNP drejtoi një qeveri të pakicës. Çështja e shumicës, do të jetë thelbësore për fatin e ardhshëm të debatit mbi pavarësinë.

Nëse SNP fiton një shumicë parlamentare, ose nëse parlamenti skocez ka një “shumicë pro pavarësisë” të SNP bashkë me të Gjelbrit Skocez, qeveria e re skoceze do të kërkojë një mandat për të mbajtur një referendum të ri për pavarësinë.

Ishte fitorja e shumicës së SNP në zgjedhjet skoceze të vitit 2011, ajo që i hapi rrugën referendumit të pavarësisë në vitin 2014. Në atë kohë, kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar Dejvid Kameron e pranoi kërkesën dhe bashkëpunoi me kryeministrin skocez të kohës Aleks Salmond dhe Starxheon (në atë kohë zëvendësministre) për të organizuar votimin e vitit 2014.

Por tani, Starxheon dhe Salmond janë kundërshtarë politik. Në fillim të fushatës, Salmond njoftoi kthimin e tij në politikë si udhëheqës i partisë së re Alba (që në galisht do të thotë “Skoci”).Është shumë herët për të thënë se si mund të ndikojë kjo ndarje në projektin e pavarësisë në planin afatgjatë.

Nëse zgjidhet sërish kryeministre, Starxheon është zotuar të mbajë një referendum të ri “brenda gjysmës së parë të legjislaturës së ardhshme”. Pra, para fundit të vitit 2023. Xhonson ka deklaruar se një referendum i tillë do të ishte “i parëndësishëm”, “i panevojshëm” dhe “përçarës”.

Por kohët e fundit ai është shprehur prerë se nuk do të ishte dakord me një referendum të

tillë pas zgjedhjeve të këtij viti. Në fund, ajo që ka rëndësi është se si do të reagojnë dy udhëheqësit skocezë pasi të dalin rezultatet e zgjedhjeve.

Pavarësisht nga armiqësia politike mes tyre, përballë një fitoreje parlamentare të forcave pro pavarësisë, Starxheon dhe Johnson ende mund të arrijnë një marrëveshje për organizimin e një referendumi të ri.

Nëse është kështu, qeveria britanike mund të kërkojë më shumë kushte, si formën e pyetjes që do të shtrohet për referendum, dhe më shumë kohë sesa për votimin e 2014-ës. Nga ana e saj, Starxheon do të mbetet nën një presion të madh nga anëtarësia e partisë së saj dhe baza më e gjerë e partisë,për të mbajtur sa më shpejt një referendum.

burimi:https://euobserver.com/opinion/151590

Përshtatur për Tirana Today

- Reklama -

Më shumë nga kategoria




Të fundit

Haklaj plas ‘bombën’: Noka do tentojë të pushtojë selinë e PD më 12 dhjetor

Ish-kryetari i PD-së në Tropojë, Azgan Haklaj, ka lëshuar një deklaratë të fortë teksa ka thënë se Flamur Noka po përgatit strukturat për të...

Tensionet Rusi-Ukrainë, Lavrov dhe Blinken takim ‘kokë më kokë’

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken dhe Ministri i Jashtëm rus Sergey Lavrov, u takuan të enjten në Stokholm, Suedi, mes shqetësimeve në rritje...

Nëse “Foltorja” është demokraci, atëherë PD e meriton Berisha&Bashën

Nga: Ben Andoni Nëse në fillim njerëzit e PD-së mundoheshin të gjenin atë të veçantën dhe mënyrën sesi do të mbrohej Berisha me etiketimin “Non...

Ben Blushi dorëhiqet nga drejtimi i “Top Channel”

Ben Blushi ka dhënë dorëheqjen nga "Top Channel", media e njohur të cilën e drejtonte prej katër vitesh. Nga sot ai nuk është më...

Komiteti Teknik publikon masat e reja, çfarë do ndodhë nga 4 janari

Pas rritjes së rasteve dhe shtrirjes së madhe në mbarë botën si pasojë e variantit Omicron, Komiteti Teknik i Ekspertëve ka vendosur që të...