Britania do nisë vaksinimin javën e ardhshme, Interpoli lëshon alarmin global

Britania u bë vendi i parë në botë që zyrtarizoi vaksinën kundër koronavirusit, që pritet të nisë të mërkurën e javës që vjen. Zyrtarët britanikë autorizuan një vaksinë për COVID-19 për përdorim emergjent, duke i dhënë dritën jeshile vaksinës së parë në botë kundër virusit.

Bëhet fjalë për vaksinën e zhvilluar nga prodhuesi amerikan i ilaçeve Pfizer dhe BioNTech i Gjermanisë. Rezultatet e provave klinike treguan se vaksina ishte 95 për qind efektive në përgjithësi, dhe se ofron mbrojtje të konsiderueshme për të moshuarit.

Por pak orë pasi lajmi u shpërnda ngado në botë, Interpoli ka lëshuar alarmin për sigurinë e qytetarëve. Rrjetet e organizuara kriminale, mund të synojnë vaksinat dhe të nisin shitje të dozave të rreme.

Agjencia globale e koordinimit të policisë, Interpol, tha se kishte lëshuar një alarm global për zbatimin e ligjit në 194 vendet anëtare të saj, duke i paralajmëruar që të përgatiten për rrjetet e krimit të organizuar që synojnë vaksinat.

Sekretari i përgjithshëm i Interpolit, Jürgen Stock, ka deklaruar se organizatat kriminale po planifikojnë të infiltrojnë ose të ndërpresin zinxhirët e furnizimit. “Ndërsa qeveritë po përgatiten të nisin vaksinimin, organizatat kriminale po planifikojnë të infiltrojnë ose të ndërpresin zinxhirët e furnizimit.

Rrjetet kriminale do të synojnë gjithashtu të kontaktojnë qytetarë që nuk dyshojnë vërtetësinë, përmes faqeve të internetit të rreme dhe vaksinave false, të cilat mund të paraqesin një rrezik për shëndetin dhe jetët e njerëzve”.