‘Brenda 60 ditësh, 1.2 mln doza’/ Rama: Deri në qershor, 500 mijë të vaksinuar

Kryeministri Edi Rama ka caktuar si objektiv, vaksinimin e gjysmë milioni të qytetarëve shqiptarë brenda muajit maj, ose maksimuni deri në fund të muajit qershor.

Nga Rinasi, ku u shkarkuan 192 mijë dozat e para të vaksinës kineze, Rama tha se brenda 60 ditësh në vendin tonë do të vijnë 1.2 milionë doza të vaksinës kineze për të nisur vaksinimin masiv në popullatë.

Edi Rama: ”Sot ne sjellim në Shqipëri 192 mijë doza, dhe brenda 60 ditësh por me një kalendar më të shpejtë se sa 60 ditë do të kemi 1.2 milion doza +. Gjë që na mundëson që menjëherë të shtrijmë vaksinimin në gjithë territorin sipas planit, dhe të nisim proces intensiv.

Objektivi ynë është që deri në fund të muajit qershor, por me sigurisht tolerancë e them fundin e muajit qershor, duam brenda majit të kemi vaksinuar gjysëm milion qytetarë. Sidoqoftë kemi vendosur vijën e objektivit tek afati i deri brenda qershorit.”