Brazili është bërë vendi i gjashtë në botë që kalon pragun prej 10 mijë viktimash nga koronavirusi.
Shtetet tjera që e kanë tejkaluar këtë prag janë: SHBA (78,616 viktima), Mbretëria e Bashkuar (31,241 viktima), Italia (30,201 viktima), Spanja (26,299 viktima) dhe Franca (26,230 viktima).
Ditën e djeshme, Brazili shënoi bilancin më të rëndë kombëtar të vdekjeve brenda një dite, duke shënuar 804 viktima.
Kështu numri total i personave që kanë humbur jetën nga COVID-19, në Brazil shkon në 10,017.
Gjithashtu Brazili është një nga dhjetë vendet e vetme që e kanë kaluar pragun e 100 mijë rasteve të infektimit nga koronavirusi.
Me 146,894 raste të konfirmuara, Brazili renditet si vendi i tetë më i prekur në botë nga COVID-19, pas SHBA-ve, Italisë, Spanjës, Mbretërisë së Bashkuar, Rusisë, Francës dhe Gjermanisë.
Brazili, një vend me popullsi prej afër 210 milionë banorësh, është shteti më i prekur në Amerikën Latine nga COVID-19.
Më shumë se 4 milionë njerëz nga e gjithë bota janë prekur nga koronavirusi, ndërsa mbi 276 mijë persona kanë humbur jetën.