Kreu i Urgjencave Kombëtare, Skënder Brataj, u shpreh i shqetësuar se njerëzit nuk po respektojnë rregullat e distancimit fizik. Pandemia nuk është zhdukur, e ndërsa shqiptarët pas lirimit të masave, janë parë tejet të shkujdesur.
Në një prononcim në emisionin “Dita Jonë” në A2, Brataj theksoi se në fund të këtij muaji mund të kemi rritje të numrit të të prekurve. Duke folur për rezultatet aktuale, sipas tij, janë si rezultat i masave të marra më herët. Sa i takon efektit të lirimit, numri i të infektuarve do të reflektohet në fund të muajit dhe në fillim të muajit qershor. Kjo pasi inkubacioni i virusit shkon deri në 14 ditë.
“Rezultatet e tanishme janë si rezultat i masave të marra, ndërsa efekti i lirimit të masave do të ndjehet nga fundi i muajit dhe fillimi i qershorit, sepse inkubacioni i virusit shkon deri në 14 ditë.
Për fat të keq, njerëzit nuk po i respektojnë rregullat. Mosrespektimi i tyre duket si diçka normale. Është krijuar ajo ideja se Covid-19 ishte diçka jo reale, por nuk është aspak kështu. Është frikë se sa do të jetë numri i të infektuarve pas dy javësh.
Luhatja aktuale e shifrave është normale, pasi ka vetëm vatra, aktualisht në fasoneri në Durrës. Nuk ka infeksion në masë në Shqipëri, dhe kjo erdhi si pasojë e izolimit.
Politizimi është faktori më i keq. Në muajin e parë askush nuk guxonte të dilte, duke ndjekur edhe lajmet se çfarë ndodhte jashtë vendit.
Më pas, situata ndryshoi dhe u ngritën dyshime mbi virusin nga zëra të ndryshëm, dhe këto ndikuan negativisht te qytetarët për të mos zbatuar rregullat”, u shpreh Brataj.