E premte, 30 Korrik, 2021
21.5 C
Tirana

Boshti i Autokracisë, kërcënimi i ri për SHBA dhe Perëndimin

Nga Hal Brands, “BloombergView”/Ngjante me një jehonë të aleancës sino-sovjetike të viteve 1950-1960, kur ministri i ri kinez i Mbrojtjes, Wei Fenghe, tha në një takim të zhvilluar në Moskë këtë muaj: “Pala kineze ka ardhur këtu, për t’i treguar amerikanëve lidhjet e ngushta midis forcave të armatosura të Kinës dhe Rusisë!”. 

Sigurisht, rruga deri në një aleancë të plotë ushtarake mbetet e gjatë, dhe është e lehtë ta shpërfillim deklaratën e Wei si një qëndrim retorik. Por kjo do të ishte e gabuar, pasi Wei ceku megjithatë një tipar ogurzi të politikës së sotme botërore: rreshtimin në rritje në një front, të rivalëve të ndryshëm gjeopolitikë të Amerikës.

Sigurisht, ky rreshtim nuk është diçka e re: shtetet autokrate dhe kundërshtarët e SHBA-së si Koreja e Veriut, Siria dhe Irani, kanë bashkëpunuar mes tyre për vite me radhë, për çështje nga shitja e armëve deri në përhapjen e armëve bërthamore.

Ajo që po ndryshon tani, është se bashkëpunimi midis konkurrentëve të fuqisë së madhe të Amerikës po rritet, pasi kërcënimet ndaj rendit ndërkombëtar të udhëhequr nga Uashingtoni janë gjithashtu në rritje.

E fillojmë me Rusinë dhe Kinën. Ndërsa këto vende kanë thelluar përpjekjet për të rivendosur ndikimin e tyre gjeopolitik, ata kanë bërë kauza të përbashkëta në një numër frontesh.

Kina siguroi një mbrojtje diplomatike për Rusinë në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara pas aneksimit të Krimesë në vitin 2014, pavarësisht nga hezitimi tradicional i Pekinit për të mbështetur lëvizjet “separatiste”, nga frika e inkurajimit të forcave të tilla në Tajvan.

Moska dhe Pekini, kanë punuar gjithashtu së bashku për të bllokuar mbështetjen e OKB-së ndaj ndërhyrjes kundër regjimit të Asadit në Siri, si dhe për të kundërshtuar vendosjen ushtarake të Shteteve të Bashkuara në Gadishullin Korean, në një kohë që kanë lidhje më të ngushta sa i përket shitjes së armëve, marrëveshjeve energjetike dhe zhvillimit të teknologjisë ushtarake.

Rusia dhe Irani kanë qenë shpesh rivalë gjeopolitikë, por sot ata po bashkëpunojnë për të minuar ndikimin amerikan në Lindjen e Mesme. 

Teherani dhe Moska, kanë formuar një aleancë ushtarake de fakto, për të mbajtur në pushtet presidentin sirian Bashar Al-Asad, dhe ruajtur apo rritur ndikimin e tyre në rajon – me rusët që sigurojnë fuqinë ajrore, dhe iranianët atë tokësore.

Koordinimi midis zyrtarëve rusë dhe iranianë, është forcuar jo vetëm në fushën e betejës, por edhe në nivelet më të larta të qeverisë. “Bashkëpunimi ynë mund të izolojë Amerikën”- i tha udhëheqësi suprem iranian Ali Khamenei presidentit rus Vladimir Putin, gjatë një takimi mes tyre në fundin e vitit 2017.

Ndërkohë, edhe pse bashkëpunimi midis rivalëve amerikanë është përshkruar me të drejtë si më tepër oportunist sesa sistematik, është e habitshme që këto vende po gjejnë gjithnjë e më shumë raste kur punojnë së bashku, dhe që duket se janë në interes të tyre. Kjo po ndodh për dy arsye:gjeopolitike dhe ideologjike.

Lexo edhe :   Britania heq karantinën për të vaksinuarit nga SHBA-ja dhe BE-ja

Arsyeja gjeopolitike është fakti se ajo që Irani, Rusia dhe Kina kanë të përbashkët, është se të gjithë po përpiqen të dobësojnë, në mënyrën e tyre dhe për motivet e tyre, një rend ndërkombëtar që ndërtohet mbi sundimin e SHBA-ve, aleatëve dhe partnerëve të saj.

Arsyeja ideologjike, është se këto vende ndajnë gjithashtu një angazhim ndaj sundimit jo-liberal, në një epokë relativisht liberale. Sigurisht, marksizmi-leninizmi nuk siguron më thelbin e marrëdhënieve midis Moskës dhe Pekinit, siç ndodhte në kohën e Stalinit dhe Maos.

Lexo edhe :   Qeveria afgane po përballet me 'krizë ekzistenciale'

Por Rusia, Kina dhe Irani, janë që të treja regjime autokratike që e shohin veten duke luftuar për ndikim dhe madje mbijetesë, në një botë kur fuqia kryesore është një demokraci dhe vlerat demokratike janë ende të shquara.

Në këto kushte, Uashingtoni thjesht duhet të kërkojë të përçajë kundërshtarët e tij – duke përdorur manovrën e respektuar diplomatike, për të cilën Richard Nixon dhe Henry Kissinger fituan me të drejtë lavdërime të mëdha në fillim të viteve 1970.

Në vitin 2017, administrata Trump, mori në konsideratë mënyrat e përçarjes mes Iranit dhe Rusisë në Lindjen e Mesme. Studiues të marrëdhënieve ndërkombëtare si John Mearsheimer, kanë sugjeruar që Uashingtoni të pajtohet me Moskën, për t’iu kundërvënë në mirë Pekinit.

Por për shkak se këto vende janë momentalisht më armiqësore ndaj Amerikës sesa ndaj njëra-tjetrës, mundësitë janë të pakta. 

Teorikisht, SHBA-ja mund të përpiqet të arrijë me gjasë një “marrëveshje të madhe” me Rusinë, që do të përfshinte pranimin e dominimit rus në Ukrainë, duke iu hequr shteteve baltike rrjetën mbrojtëse të NATO-s, lejuar depërtimin e një sferë ruse të ndikimit në vendet e ish-Bashkimit Sovjetik dhe në pjesë të Evropës Lindore, si dhe pranimin e Moskës si një lojtare gjeopolitike e barabartë në Lindjen e Mesme – të gjitha këto me shpresën se zyrtarët rusë do të nisin të heqin dorë nga armiqësia e tyre me Perëndimin, dhe të përqëndrohen në kërcënimin afatgjatë që u vjen nga Kina.

Por, kostoja e një marrëveshjeje të tillë do të ishte aq e lartë dhe përfitimet aq të pasigurta, sa që praktikisht nuk do të merret asnjëherë në shqyrtim si një nismë.

Me kalimin e kohës, mund të shfaqen mundësi më të mëdha për t’i vënë rivalët e SHBA-së kundër njëri-tjetrit. Por tani për tani, Amerika përballet me detyrën e padiskutueshme të mbështetjes së një sistemi ndërkombëtar që po sfidohet në fronte të shumëfishta – dhe nga kundërshtarë që gjithnjë e më shumë po punojnë së bashku.

PËRSHTATI TIRANA TODAY

- Reklama -

Më shumë nga kategoria




Të fundit

SHBA/ Punonjësit federalë përsëri me maska

Punonjësit federalë në Uashington dhe disa qytete të tjera filluan të mbajnë maska përsëri në punë pas një përhapjeje të variantit Delta të koronavirusit....

Kualifikim historik/ Laçi në raundin e tretë të Conference League

Mund të quhej si mision i pamundur, por në futboll kjo fjali ekziston vetëm në letër, sepse fusha flet ndryshe. Me plot meritë, Laçi ka...

Izraeli nis të aplikojë dozën e tretë të vaksinës anti-covid

Izraeli do të fillojë të ofrojë dozën e tretë të vaksinës kundër koronavirusit për njerëzit mbi 60 vjeç, konfirmoi të enjten kryeministri i këtij...

“Krimi po merr tenderat në Fier”/ Subashi reagon pas deklaratës së Petro Koçit

Kryebashkiaku i Fierit, Armando Subashi ka reaguar për herë të parë pas deklaratës së deputetit socialist Petro Koçi, i cili tha se tenderat në...

Conference League/ Partizani nuk ia del, Bazeli e eleminon në raundin e dytë

Partizani pësoi një tjetër humbje ndaj Bazelit, teksa kësaj here u mund 0-2 në ‘’Elbasan Arena’’. Zviceranët arritën të menaxhonin mjaft mirë rezultatin duke...