Gjykata e Tropojës ka dënuar kasapin dhe një shitës pas skandalit të publikuar nga “BOOM” vitin e kaluar, ku në therrtoren e bashkisë Tropojë kafshët therreshin jashtë standardeve të përcaktuara nga ligji, e mishit i vihej edhe vulë false.
Pas administrimit të materialeve të emisionit “BOOM”, Prokuroria mori si të pandehur vetëm kasapin dhe shitësin, duke lënë jashtë përgjegjësisë, inspektorët e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit dhe Bashkisë Tropojë.
Pas këtij vendimi, “BOOM” u rikthye në Tropojë për të parë edhe njëhërë situatën ku konstatoi se mishi vazhdon të shitet në dyqanet që rezultojnë ta kenë pezulluar aktivitetin e tyre ne Qendrën Kombëtare të Biznesit, ditën por edhe natën.
E pyetur në lidhje me këtë fakt Bashkia Tropojë deklaroi se dyqanet janë të mbyllura dhe i ka nën monitorim.
Nënkryetari i Bashkisë Tropojë: Dyqanet janë të mbyllura. Herë pas here kemi ushtruar kontroll, kemi komunikuar me AKU-në dhe ata të AKU-së kanë qenë disa herë për kontrolle.
Gazetarja: Të mbyllura çfarë do të thotë? Që ju keni aktet që i keni mbyllur këto dyqane për mosushtrim të aktivitetit më?
Nënkryetari i Bashkisë Tropojë: Për mosushtrim aktiviteti i kanë mbyllur tek QKR-ja. Herë pas here ne edhe inspektorët tanë i kemi dërguar të kontrollojnë dhe kanë rezultuar të mbyllura.
Ligji për ushqimin dhe akti normativ që përcakton rregullat për therrjen dhe tregëtimin e mishit, ngarkojnë Autoritetin Kombëtar të Ushqimit, dhe njësinë vendore për ushtrimin e kontrolleve dhe marrjen e masave ndaj subjekteve që nuk garantojnë sigurinë ushqimore.
Dënimi me 6 muaj burg, konvertuar në 180 orë punë në komunitet për kasapin dhe shitësin, duke lënë jashtë përgjegjësisë inspektorët e AKU dhe Bashkisë Tropojë, tregon se ligji vepron mbi të dobëtit duke bërë që situata të mbetet e njëjtë./oranews