Kuriozitete

Bobi Fisher, shahisti i madh amerikan që theu dominimin e rusëve (video)


               Publikuar në : 14:52 - 17/09/19 M. S

Bashkimi Sovjetik, e dominonte Kampionatin Botëror të Shahut që nga viti 1948. Moska e shihte rekordin e saj të pandërprerë, si një dëshmi të epërsisë së saj intelektuale mbi Perëndimin. Por kjo epërsi mori fund në vitin 1972.

29-vjeçari amerikan Bobi Fisher, arriti të mposhtë kampionin botëror në fuqi, Boris Spaski. Fisher, nisi të luante shah që në moshën 6-vjeçare. Shumë shpejt ra në sy për talentin e tij të veçantë.

Në moshën 13-vjeçare, mundi kampionin kombëtar Donald Birn. Ai ishte brilant në strategjitë e tij të shahut. Por nga ana tjetër, nisi të kishte probleme mendore. I ndërpreu gati tërësisht marrëdhëniet me familjen, dhe u bë gjithnjë e më arrogant me median dhe autoritetet.

Në vitin 1975, pranoi të mbronte titullin botëror, vetëm nëse i plotësohej një listë me 179 kërkesa. Kur kjo u refuzua, ai e bojkotoi kampionatin, duke e humbur kësisoj edhe titullin e fituar 3 vite me herët. Nga ai moment Bobi Fisher, nisi të degradojë gjithnjë e më tepër.

Në vitin 1992, mposhti sërish Spaski në një ndeshje jozyrtare të zhvilluar në Jugosllavi. Për shkak të thyrjes së embargos, SHBA-ja i anuloi pasaportën, dhe shpalli një mandat arresti për të.

Fisher u detyrua të zhvendoset me banim në Islandë. Gjatë intervistave të rralla që dha, sulmonte vazhdimisht vendin e tij, SHBA-në, si dhe hebrenjtë. Vdiq në vitin 2008, pas një komplikacioni në veshka, për të cilin kishte refuzuar kurimin. Ironikisht ishte 64-vjeç, sa numri i kutive në një fushë shahu.

TIRANA TODAY

Kthehu
WhatsApp Denonco ne TT