Shqipëria

“Blozë dhe baltë në saborator”/ Irritohet gazetari: Ja vdekja që na shesin kompanitë e karburanteve

               Publikuar në : 08:30 - 14/08/19 Enno

Gazetari i njohur Mentor Kikia ka denoncuar me anë të disa fotove cilësinë e kaburantit në Shqipëri duke e cilësuar atë skandaloz.

Përmes një postimi në Facebook, Kikia shprehet se fotot janë të një makine të sapo çuar në servis, teksa shprehet se brenda saboratorit të saj është gjendur blozë dhe baltë.

Sipas tij, ky nuk është vetëm një krim financiar por kjo është e dëmshme edhe për shëndetin e njeriut, teksa deklaron se e përshëndet deklaratën e ministres Balluku, në lidhje me kontrollin e informalitetit cilësor të karburanteve.

Postimi i plotë:

Ja vdekja që na shesin kompanitë e karburanteve!
(Në vend të një letre për kryeministrin Rama)

Kësaj makine sapo i janë zbërthyer mushkëritë në një ofiçinë në Tiranë. Blozë dhe baltë të zezë, që ka ardhur si pasojë e karburantit skandaloz që kompanitë na shesin çdo ditë. Një litër nga kjo gjëja, që vetëm karburant nuk quhet, sot kushton 180 Lekë. Kostoja e shërbimit të makinës nuk llogaritet. Po kostoja e shëndetit tonë?
Sa prej kësaj bloze ne e kemi thithur dhe e kemi në gjak? Çfarë ka patur brenda ky karburant? Me çfarë kurajoje këta kriminelë na shesin të tillë llumra, duke na shkatërruar jetën? Dhe pale, edhe të padisin në gjykatë, kur i quan abuzues.
Unë e mirëprita dhe e përshëndeta publikisht deklaratën e ministres Balluku, kur tha se do të kontrollojmë tashmë edhe informalitetin cilësor të karburanteve dhe jo vetëm evazionin fiskal të kompanive.
Dhe shpresoj shumë që kjo të ndodhë tashmë, ndaj dhe po ju jap një provë të fortë të maskaradës që ndodh në këtë treg ujqërish të pamëshirshëm.
Mijëra tonelata naftë vergine, e Ballshit, që duhej të shkonte jashtë për përpunim, na është shitur këtu, si naftë importi, duke u përzjerë në çisterna. Një kastë njerëzish janë pasuruar deri në paimagjinatë, duke na zhvatur jo vetëm paratë por edhe shëndetin.
Ky nuk është vetëm një krim financiar. Kjo është vrasje!

p.s: Të nderuar miq, meqë në protestë ne nuk dalim për këto gjëra, ju ftoj ta shpërndani këtë postim, si një formë proteste që të shkojë deri në zyrën e kryeministrit, për ta nxitur dhe mbështetur, në vazhdimin e asaj që ka nisur.

Kthehu
WhatsApp Denonco ne TT