Blerja e votës/ Baçi: Normalizimi i së keqes duhet të marrë fund

Zgjedhjet parlamentare të 25 prillit u fituan nga Partia Socialiste, e cila siguroi 74 mandate dhe do të qeverisë sërish e vetme për 4 vitet që vijnë.

Por, opozita deklaroi se këto zgjedhje ishin të manipuluara, pasi sipas saj u përdorën presione te administrata zgjedhore, si dhe pati shitblerje të votës.

Për publicistin dhe gazetarin Agim Baçi, i cili ishte kandidat i Partisë Demorkatike në qarkun e Durrësit, blerja e votës është një fenomen tepër shqetësues.

I ftuar në rubrikën ”Opinion” në ”News 24”, Baçi u shpreh se duhet t’i jepet fund normalizimit të së keqes, teksa shtoi se Shqipëria është e shqiptarëve, dhe nuk mund të ndahet midis bindjeve politike.

Ndër të tjera, Baçi tha se se duhet fajësuar vetëm opozita lidhur me zgjedhjet, por mazhoranca e cila nuk e qenë e ndershme lidhur me procesin zgjedhor.

Agim Baçi: ”Më shumë se rezultati i zgjedhjeve, më shqetëson blerja e votës. Duhet t’i themi stop normalizimit të së keqes. Nëse shoqërinë e bën supermarket varfërie, mund ta blesh lehtë. Punonjësit e administratës janë bërë si punëtor partie. Ky vend është i shqiptarëve, nuk është as i të majtëve dhe as i të djathtëve.

Është skandal që Rama krenohet me patronazhistët. E keqja është bërë normale e kjo është shqetësuese. Rama di vetëm të shajë dhe të përdorë gjuhë urrejtje. Rama tallet kur nuk i themi urdhëro. Fituesi i zgjedhjeve nuk ka moral. Nëse fajësojmë opozitën, i bie që maxhoranca paska qenë e ndershme, por kjo është e pavërtetë.”