Bisedimet Kosovë-Serbi vazhdojnë javën e ardhshme

Javën që vjen, më saktësisht më 10 dhjetor, pritet të zhvillohet një takim ndërmjet shefave të delegacioneve, të Kosovës dhe atij të Serbisë në dialogun, të cilin e ndërmjetëson Bashkimi Evropian.

Këtë e ka konfirmuar të premten në Bruksel Peter Stano, zëdhënës në BE për politikë të Jashtme dhe Siguri.

“Mund të konfirmoj se ekziston ideja që javën e ardhshme të zhvillohet takimi në nivelin e kryenegociatorëve në Bruksel”, ka thënë Stano, duke mos dashur që të japë detaje tjera rreth atij takimit dhe temave që eventualisht do të mund të diskutoheshin në të. Stano këtë refuzim për të dhënë detaje e ka arsyetuar me fjalët se “nuk është praktikë që shumë ditë para takimit ta bëjë publike agjendën”.

Kanë kaluar gati tre muaj prej kur nuk ka pasur takime në nivelin e lartë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ndërkaq, në nivel të shefave të delegacioneve për dialog takimi i fundit ishte zhvilluar më 29 nëntor në Bruksel kur palët kishin diskutuar për pretendimet financiare dhe pronësore mes tyre.

Në BE vazhdojnë të pohojnë seqëllimi i dialogutështë arritja e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, përmes së cilës do të zgjidheshin të gjitha çështjet e hapura mes palëve. Sipas vetë të dërguarit të Posaçëm të BE-së për dialog, Miroslav Lajçak, të gjitha marrëveshjet për temat specifike do të jenë pjesë e marrëveshjes gjithëpërfshirëse.

Edhe pse Lajçaku dhe përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrel, kanë pohuar se dialogu po shkon mirë, diplomatët në BE pranojnë se ai është ngadalësuar dukshëm dhe për këtë, shkakun kryesor e shohin te situata e brendshme politike në Kosovë./REL/