Bie numri i viktimave në Holandë, bilanci për 24 orët e fundit

Holanda vijon të jetë një ndër shtetet me numrin më të madh të viktimave nga koronavirusi.

Në 24 orët e fundit, në këtë shtet kanë humbur jetën 66 persona, duke e çuar në 4,475 numrin total të personave që kanë humbur jetën nga COVID-19. Numri i viktimave shënon kështu një rënie, në krahasim me ditën e djeshme ku u regjistruan 120 viktima.

Ndërkohë janë regjistruar 665 raste të reja të personave të infektuar. Kështu shkon në 37,845 numri i të infektuarve me virusin vdekjeprurës.

Deri më tani nuk ka të dhëna zyrtare se sa është numri i personave që janë shëruar në Holandë. Ndërsa raportohet se 959 pacientë ndodhen në gjendje të rëndë shëndetësore.

Holanda renditet e 14-ta në botë për numrin më të madh të personave të infektuar, pas SHBA-ve, Italisë, Spanjës, Francës, Gjermanisë, Mbretërisë së Bashkuar, Iranit, Kinës, Turqisë, Rusisë, Brazilit, Belgjikës dhe Kanadasë.

Më shumë se 2,9 milionë njerëz nga e gjithë bota janë prekur nga koronavirusi, ndërsa mbi 203 mijë persona kanë humbur jetën.