Monedha e përbashkët ka shënuar një rënie të fortë edhe gjatë ditës së sotme në tregun vendas, duke arritur në 134.3 lekë, sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë.
Ky është niveli më i ulët që nga fillimi i tetorit 2009, kur një euro u këmbye me 134.22 lekë. Pas tetorit 2009, euro shënoi vetëm rritje në tregun vendas, për të arritur në mesatarisht 140 lekë për 5-6 vjet radhazi, në një nivel të qëndrueshëm, që pak ndikohej nga ecuria e euros në bursat ndërkombëtare.
Në gjysmën e dytë të vitit të kaluar, euro nisi një zhvlerësim të pazakontë në Shqipëri, e ndihmuar dhe nga rënia e monedhës së përbashkët në tregjet ndërkombëtare. Në dhjetor të vitit të kaluar, euro zbriti në 134.39 lekë, niveli më i ulët i gati 8 viteve, kur edhe euro në bursa arriti në gati 1.04 USD, nivelin më të ulët në 11 vjet.
Por, edhe pse euro e mori veten, duke u këmbyer aktualisht me 1.09 USD, përveçse në janar kur arriti në rreth 137 lekë, euro në tregun vendas po vijon të flirtojë me nivelin më të ulët në gati 8 vite dhe ka arritur një rekord të ri ditën e sotme.
Ekspertët e tregut pohojnë se arsyeja kryesore lidhet me ofertën e lartë për valutë në tregun vendas, nga burime të dukshme e të padukshme.