Kryetari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Bujar Nishani deklaroi se kryedemokrati Lulzim Basha kishte dijeni në lidhje me vendimin e DASH, për shpalljen ”non grata” të ish-kryeministrit Sali Berisha dhe familjes së tij.
I ftuar në emisionin ”Frontline” në ”News 24”, Nishani u shpreh se vendimi për Berishën, u bë shkak për afrimin e zgjedhjeve brenda partisë, nga 22 korriku në 13 qershor.
Ndër të tjera, Nishani tha se vendimi i DASH, ka shkaktuar një shok brenda PD-së, pasi Berisha është themelues i kësaj partie dhe për të ka ndjeshmëri.
Bujar Nishani: ”Unë jam shprehur qartë kur më është kërkuar mendim. Kjo është një çështje që zoti Berisha e ka adresuar diskursin drejt zgjidhjes gjyqësore. E ka bërë zgjedhjen e tij. Me rëndësi në këtë çështje janë dy gjëra. Në këtë histori personale me Berishën unë mund të dëshmojë në çdo kohë, se unë kam ndeshur njeriun e ndershëm institucional dhe skam ndeshur kurrë një minimum të korrupsionit. Kjo çështje është një çështje që s’do t’i cënojë kurrë marrëdhëniet SHBA-Shqipërinë. S’kam droje fare. Skam asnjë ndonjë informacion apo indicie. Unë kam kuptuar se zoti Basha ka qenë në dijeni të informacionit, pasi jo pa qëllim afroi jo në mënyrë të pritur datën e zgjedhjeve brenda partisë. Kjo çështje ka krijuar një shok brenda PD. Se mohojmë dot. Pasi Berisha është themelues i PD dhe për të ka ndjeshmëri.”