Ambasadori i BE-së, Luigi Soreca është pyetur sot nga gazetarët lidhur me aktivitetin e Sali Berishës dhe pjesëmarrjen në fushatë, ndonëse është shpallur “non grata” nga SHBA-ja. Nga Korça, ai deklaroi se nuk dëshiron të komentojë zhvillimet e brendshme të një partie.
“Më lejoni të mos komentoj për zhvillimet e brendshme të një partie. Ne kemi ndjekur dhe vijojmë të ndjekim parimin e mos-ndërhyrjes. Do ketë dhe zgjedhje në të ardhmen. Në të njëjtën kohë vazhdojmë punën tonë duke biseduar me të gjitha forcat politike në vend, edhe sa i përket çështjes së Vettingut”, deklaroi Soreca.
Dje Berisha prezantoi kandidatin për Bashkinë e Durrësit, Ardian Mukën në zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 marsit. Nga Sukthi, Berisha kërkoi votën e demokratëve për kandidatin e koalicionit “Shtëpia e Lirisë”, ndërsa sulmoi kandidatin e PD të zgjedhur nga Lulzim Basha. Berisha tha në takimin me demokratët, se vota për kandidatin e Luzim Bashës do të ishte votë për PS.