Ish-kryeministri Sali Berisha ka mobilizuar mbështetësit, për të pushtuar selinë e Partisë Demokratike. Ai ka thirrur një tjetër protestë kombëtare, të cilën kërkon ta përdorë si provë force kundër kundërshtarëve të tij, e veçanërisht kreut të PD-së, Lulzim Basha. 5 janari 2022 është afati i fundit që Komisioni i Rithemelimit të Partisë Demokratike i ka lënë Lulzim Bashës që të largohet nga zyra, pas referendumit për shkarkimin e tij.
Po kështu, Berisha paralajmëroi se më 8 janar, qytetarët shqiptarë janë thirrur prej tij në një protestë kombëtare. Mësohet se në të gjithë vendin, besnikët e Berishës kanë nisur takimet, duke lobuar dhe bindur demokratët që t’i bashkohen protestës së 8 janarit.
Tubimi është thirrur kundër skandaleve të fundit që kanë ndodhur në vend, siç është rrjedhja e të dhënave të qytetarëve. Nga emisioni “Zonë e Lirë”, ish-kryeministri zbuloi se demokratët do shkojnë tek selia blu, nëse Basha nuk reflekton. “Data 8 do jetë datë protestë e fuqishme, është përcaktuar datë proteste kombëtar, 44 mijë anëtarë të PD-së që firmosën të bëjnë historinë, do të marrin në dorëzim selinë blu. Kjo nuk ka asnjë lloj diskutimi”, deklaroi Berisha.