Dy fëmijë binjakë të moshës 5 muajsh kanë humbur jetën ditën e sotme në Berat.
Mësohet se ata kanë mbërritur të vdekur në Repartin e Pediatrisë të Spitalit Rajonal Berat rreth orës 09:00 të mëngjesit. Dy foshnjat R.Agalliu dhe R.Agalliu të dy djem janë dërguar në morgun e spitalit, për t’iu nënshtruar autopsisë ligjore.
Prindërit e tyre kanë pasur dyshime se ata janë helmuar nga qumështi në kuti me të cilët ushqeheshin, por nga autopsia ka rezultuar se nuk ka pasur shenja helmimi në trupin e foshnjave.
Mjekët e morgut të Beratit konfirmojnë se, në trupin e dy foshnjave nuk ka pasur shenja dhune. Ata dyshojnë se, fëmijët mund të kenë gjetur vdekjen si pasojë e mungesës së ajrit në dhomë, ndërkohë që kanë dërguar për ekzaminim në Tiranë analizat e foshnjave dhe janë në pritje të përgjigjes së tyre, për të zbuluar shkaqet e vdekjes.
Foshnjat binjake jetonin me prindërit Eduard dhe Merushe Agalliu dhe me motrën 6-vjeçe dhe vëllain 5-vjeç në një banesë dy katëshe në periferi të qytetit,në lagjen “Uznovë”.
Kunata e Merushes, Natasha Agalliu tregon se, fëmijët ishin në gjendje të mirë shëndetësore në mëngjes dhe duke qenë se ishte ftohtë, e ëma Merushja i kishte zbritur në katin e parë tek ajo ku ishte ndezur soba me dru. Gjysmë ore më vonë ajo i kishte kërkuar kunatës të vinte të merrte fëmijët se do dilte,por në atë moment kanë vënë re që fëmijët nuk reagonin.
Ajo pohon se i kanë dërguar menjëherë në spital por fëmijët ishin të vdekur. Natasha shprehet se fëmijët nuk ishin të sëmurë,asnjëri prej tyre nuk kishte shfaqur shenja virozash apo temperaturë dhe askush nuk e kuptoi dot shkakun se përse vdiqën papritur foshnjat. Natasha u shpreh se,prindërit e foshnjave binjake,pas autopsisë,i kanë varrosur që sot fëmijët në varrezat Suelasit.