Belgjika hedh hapin e madh, 2 mijë persona do hetojnë rastet me COVID-19

Belgjika ka ndërmarrë një tjetër hap me rëndësi, lidhur me zhvillimin e koronavirusit. Plot 2 mijë persona do të merrem me hetimin e rasteve të COVID-19. Kjo nismë është një hap i madh ndaj monitorimit të koronavirusit, ndërsa po sjell bilance negative anembanë botës.

Belgjika pritet të punësojë 2.000 persona në call center, të ngarkuar me hetimin e rasteve të dyshuara të koronavirusit.

Anëtarët e stafit do të flasin me njerëz që janë të infektuar. Kjo për të kuptuar se me kë kanë qenë në kontakt, dhe më pas të njoftojnë këdo që mendojnë se mund ta ketë kontaktuar atë.

“Për secilin person të infektuar rishtas, hetuesi do t’i kontaktojë ata duke pyetur se me kë kanë qenë në kontakt për 14 ditët e fundit”, shpjegoi Gilles Vanden Burre, një deputet belg.

“Pas kësaj, personi i call center-it do t’i thotë këtyre njerëzve: ju keni qenë në kontakt me dikë që ka testuar pozitivisht për Covid-19 sot, kështu që ne rekomandojmë një seri masash dhe veprimesh. Megjithatë, natyrisht, nuk do t’i jepet emri i personit që e ka infektuar“, u shpreh ai.

Deputeti belg është shprehur më tej se është me mjaft rëndësi që të gjurmosh evolucionin e sëmundjes. Në të kundërt, shifrat e të infektuarve do të njihnin vetëm rritje.

“Është thelbësore të jesh në gjendje të gjurmosh në detaje evolucionin e sëmundjes, sepse përndryshe ekziston rreziku për të patur një kulm të ri brenda disa muajsh. Dhe masat e kontrollit do të duhet të merren përsëri, gjë që askush nuk dëshiron”.