Autoritetet në Bejrut ende nuk e kanë të qartë plotësisht se çfarë e shkaktoi tragjedinë. Bëhet fjalë për më tepër se 130 të vdekur, rreth 5 mijë të plagosur, shumë të humbur dhe gati 5 miliardë dollar dëme materiale.
Autoritetet në vend fajësuan sasinë prej 2 700 ton nitrat amoni të braktisur në magazinat e portit prej disa vitesh, ndërsa në rrjetet sociale kanë filluar spekulimet për një raketë.
Një dërgesë prej 2 750 ton nitrat amoni arriti në Bejrut në një anije me pronësi ruse në vitin 2013. Anija, e quajtur MV Rhosus, ishte destinuar për Mozambik por u ndal në Bejrut për shkak të vështirësive financiare, e kjo gjithashtu krijoi trazira me ekuipazhin rus dhe ukrainas të anijes.
Pasi mbërriti, anija nuk u largua kurrë nga porti i Bejrutit. Drejtori i Doganave në Liban Badri Daher, tha se anija nuk iku asnjëherë, megjithë paralajmërimet e përsëritura nga ai dhe të tjerët se ngarkesa ishte ekuivalente e “një bombe lundruese”.
Në një video të shpërndarë në rrjet, duket diçka që lëviz me shpejtësi në drejtim të vendit të shpërthimit. Shumë prej përdoruesve të rrjeteve sociale thonë se bëhet fjalë për një raketë, ndërsa të tjerë pretendojnë se nuk është asgjë tjetër përveç se një zog që fluturon.
I personally think this looks like a bird but people think the Beirut Lebanon explosion was an attack. #Lebanon #beirutexplosion #Beyrut #BeirutBlast #Beruit #BREAKING pic.twitter.com/ArSLYzMcwK
— mdiab ? (@mdiab9) August 5, 2020
Këto zëra duket sikur janë të vërteta, duke iu referuar edhe deklaratës së bujshme të dhënë një ditë pas ngjarjes nga presidenti amerikan Donald Trump. Sipas tij, ajo që ndodhi në Bejrut ishte një sulm dhe jo incident. Pas kësaj ishte Departamenti i Mbrojtjes që theksoi se nuk ka të dhëna për një sulm, ndërsa gjatë ditës së djeshme, gjatë një diskutimi me gazetarët Trump tha se nuk dihej ende saktësisht se çfarë ndodhi.
Shpërthimi vjen në një kohë të vështirë për Libanin. Vendi po përballet me një krizë ekonomike, pandeminë e koronavirusit dhe demostrata masive kundër varfërisë.