Nëse dikur keni ëndërruar të nisni një jetë të re dhe të jetoni në Kanada, atëherë është koha të bëni gati valixhet. Kjo pasi parlamenti kanadez ka njoftuar planin për të tërhequr më shumë se 1 milion banorë në 3 vitet e ardhshme.
Kanadaja mirëpriti më shumë se 286.000 emigrantë në 2017-ën dhe ka në plan që këtë vit shifra të arrijë në 350.000, ndërsa në 2020-ën të mirëpresë 360.000 emigrantë, e në 2021 plot 370.000.
“Falë emigrantëve të ardhur, Kanadaja është zhvilluar në një vend më të fortë”, tha Ahmed Hussen, Ministër i Emigracionit, Refugjatëve dhe Qytetarisë, i cili po ashtu është një emigrant nga Somalia.
Hussen argumentoi se fluksi i ardhjeve të emigrantëve do të ndihmonte në uljen e plakjes së popullsisë dhe do të rriste fuqinë e punës.
Qëndrimi miqësor i Kanadasë ndaj banorëve të rinj vjen teksa shumë vende të tjera perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, po miratojnë politika më të kufizuara të emigracionit./ Burimi CNN, Përshtati TIRANA TODAY