Barcelona i befason të gjithë me lojtarin që është duke transferuar. Në krizë për të gjetur një futbollist, i cili do të zëvendësojë Luis Suarez, katalanasit kanë vendosur që të transferojnë Kevin-Prince Boateng. Një operacion ‘blic’ nga drejtuesit e Barcës, pasi pak ditë më parë u largua edhe sulmuesi Munir.
“Blaugranat” kanë mbetur pa alternativa në stol në fazën e avancuar, ndaj drejtuesit janë hedhur në sulm për të afruar një “pykë” me eksperiencë e që do ta pranonte pa problem vendin e fundit në hierarki. Te Barcelona kanë vendosur t’i besojnë sulmuesit ganez të Sassuolos, për të cilin është arritur marrëveshja e transferimit në formë huazimi me të drejtë blerjeje.
Drejtori i përgjithshëm i Sassuolos, Carnevali, është nisur drejt Barcelonës për të përcaktuar detajet e fundit të një marrëveshjeje të papritur, por edhe për të nisur një epokë të re bashkëpunimi me klubin katalan. Kontakti i parë erdhi gjatë verës për Marlon, që u transferua tek skuadra emiliane, me Barçën që ka të drejtën e riblerjes. Nga ky moment të tjerë të rinj premtues të rritur në akademinë e Barcelonës mund t’i bashkohen Sassuolos në të ardhmen.