Nga Agata Palickova, “Euractiv”
Nëse procesi i pranimit në Bashkimin Evropian i Ballkanit Perëndimor mbetet në vend-numëro, 6 vendet e rajonit mund të shqyrtojnë alternativa të tjera, duke përfshirë forcimin e marrëdhënieve me Kinën, Rusinë, Turqinë dhe shtetet e Gjirit Persik.
Sipas raportit të Grupit Këshillues të Politikave Evropiane mbi Ballkanin, prirja e vendeve të Ballkanit për të ndërtuar lidhje me partnerët e rinj, vjen nga një proces i integrimit në BE, që po dëshmohet shumë më i ngadaltë se sa ishte pritur.
Besimi tek perspektiva e anëtarësimit në mesin e qytetarëve të vendeve të Ballkanit Perëndimor, është tronditur. Kjo tregohet nga të dhënat e mbledhura nga Barometri i Ballkanit në vitin 2018, kur vetëm 26 për qind e qytetarëve në rajon, besojnë se vendi i tyre nuk do t’i bashkohet kurrë BE-së.
“Udhëheqësve të Ballkanit Perëndimor, po u jepet mundësia të përcjellin në Bruksel mesazhin, se nëse anëtarësimi i vendeve të tyre nuk përparon, ata mund të shqyrtojnë alternativa të tjera në politikën e tyre të jashtme”- thotë raporti.
Që nga vitet 1990, SHBA-ja dhe BE-ja kanë qenë partnerët më të rëndësishëm të shteteve të Ballkanit, që aspirojnë të anëtarësohen në union. Mali i Zi dhe Serbia, kanë nisur tashmë negociatat e pranimit, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë vende kandidate në pritje të bisedimeve, Bosnja ka paraqitur një kërkesë për anëtarësim, ndërsa Kosova që nuk njihet ende si shtet nga 5 shtete anëtare të BE-së, mbetet shumë më pas.
Problemet e brendshme në 6 vende si defiçiti demokratik, tensionet etnike, korrupsioni dhe zbatimi i mangët i ligjit, u japin argumente politikanëve evropianë që të jenë skeptikë rreth zgjerimit, siç është presidenti francez Emmanuel Macron, që kundërshtoi vitin e shkuar çdo zgjerim të mëtejshëm në një të ardhme të afërt.
Nga ana tjetër, qeveritë e Ballkanit Perëndimor, kanë mirëpritur investitorët e rinj në rajon, pavarësisht nga mospërputhshmëria e projekteve të tyre me politikat e BE-së. Vende të ndryshme, kanë aktorë të ndryshëm gjeopolitikë, shpesh të ndikuar nga lidhjet historike ose feja.
Kina fokusohet evropianë tek marrëdhëniet ekonomike, ndërsa Rusia dhe Turqia kanë bërë përpjekje më të mëdha për ndërtimin e lidhjeve politike dhe shoqërore. Asnjë nga lojtarët gjeopolitikë, nuk e saboton hapur procesin e integrimit në BE të shteteve të Ballkanit. Megjithatë, këto 6 shtete mund të funksionojnë si “Kuaj Troje” në politikën e jashtme, dhe të destabilizojnë BE-në në të ardhmen, thekson raporti.
Bashkimi Evropian, është ende partneri më i madh i tregtar i vendeve të Ballkanit Perëndimor, me një peshë mesatare prej rreth 75 për qind. Megjithatë, investimet e lojtarëve të tjerë nuk duhen shpërfillur. Rusia është fokusuar në sektorin energjetik, dhe disa nga transaksionet e saj janë maskuar nëpërmjet vendeve të treta.
Që nga krijimi i platformës 16+1 në vitin 2002, Kina ka investuar shumë në rajon, duke hedhur themelet për një betejë të re për ndikim përballë BE-së. Interesat kineze, nuk janë quajtur si një ndikim politik mbi Evropën. E megjithatë, komisioneri evropian i zgjerimit Johanes Han, ka shprehur shqetësime rreth huave kineze.
Sipas tij, disa shtete po marrin shumë hua nga Kina dhe nuk është e sigurt nëse ato do të jenë në gjendje t’i shlyejnë. Në këto kushte, mund të jenë të prekshme ndaj dominimit kinez. Për një numër arsyesh historike, Serbia ka marrëdhënie më të ngushta me Rusinë. Serbët e përdorin “vëllain e madh ortodoks” për bllokimin e anëtarësimit të Kosovës në OKB, UNESCO dhe Interpol.
Rusia ka krijuar gjithashtu një monopol në sektorin energjetik të Serbisë, edhe pse pjesa e saj e përgjithshme e investimeve në Serbi nuk është e madhe. Narrativat miqësore ndaj Rusisë mund të shihen në media, falë pranisë së agjencisë ruse të lajmeve “Sputnik”, dhe televizionit “Russia Today”
Në Bosnje, Turqia ka të njëjtën domethënie për myslimanët boshnjakë, si Rusia për serbët. Presidenti Rexhep Tajip Erdogan, mban lidhje të ngushta me familjen me ndikim Izetbegoviç në Bosnje. Ankaraja përdor disa instrumente të fuqisë së butë për të përforcuar pozicionin e saj. Institucionet e saj rikonstruktojnë xhami, monumente historike, dhe mbështesin komunitetet myslimane lokale.
Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, ndodhen në një pozitë të ngjashme. Rusia fokusohet atje për shkak të komunitetit ortodoks. Ndërhyrjet e drejtpërdrejta të Rusisë në politikën e brendshme janë të vështira për t’u vërtetuar, por gjatë bisedimeve për zgjidhjen e çështjes së emrit midis Shkupit dhe Athinës, u akuzuan disa rusë se po përpiqeshin të sabotonin marrëveshjen.
Greqia iu përgjigj me një paralajmërim Rusisë, që të mos ndërhyjë në punët e saj të brendshme.
Para kësaj, një nga shembujt më të qartë, ishte gjithashtu një grusht shteti i mbështetur nga Rusia në tetor 2016, për të sabotuar planin e Malit të Zi për t’ju bashkuar NATO-s./ Tirana Today