Negociatat kanë vënë në një përballje të fortë qeverinë me opozitën. Teksa Rama tha më herët se sjellja e opozitës është shfaqje brutaliteti për një dështim imagjinar në Evropë, kreu demokrat konfirmoi se nuk ka as vendim dhe as datë për negociatat.
Në një deklaratë për mediat, Basha nxori emrin e Ramës, si njeriun që ka mashtruar të gjithë qytetarët, dukë thënë se janë hapur negociatat. Përmes disa pikave, kreu i PD-së nënvizon se mos hapja e negociatave është refuzim ndaj krimit e korrupsionit në qeverisjen Rama, është refuzim personal ndaj Ramës dhe kupolës politike të PS, refuzim i pushtetit të Ramës, i manipulimit të zgjedhjeve, kapjes së drejtësisë.
“As vendim, as datë për hapjen e negociatave, KE nuk do ta shqyrtojë fare nesër këtë çështje dhe Këshilli i mbledhur dje dhe pardje e ka shtyrë këtë vendimmarrje të paktën për një vit, deri në qershor të 2019.
Për të mbërritur deri atje, do të ndiqet nga fillimi e njëjta procedurë, do të ketë një tjetër raportim nga KE për mbushjen e kushteve, tjetër diskutim nga fillimi nga parlamentet e atyre vendeve që kërkojnë këshillimin, si Bundestagu dhe parlamenti holandez dhe vetëm atëherë mund të futet në axhendë në KE në qershor të 2019.
Negociatat nuk janë hapur, por është thënë që Shqipëria ka mundësi ti hapë nëse plotëson kushtet dhe kjo verifikohet nga vendet anëtare dhe Këshilli Evropian. Ai nesër nuk e shqyrton fare, Rama, makina e propagandës ka zgjedhur të vazhdojë mashtrimin, duke thënë se janë hapur negociatat, nuk ka asgjë të re, e vetmja gjë që ai di të bëjë.
Lajm i hidhur dhe një realitet i dhimbshëm për gjithë vendin, në muajt e ardhshëm, do të na duhet që të gjithë së bashku të reflektojmë thellë për hapat që duhet të hedhim për të ndryshuar thellësisht, por një kthesë themelore në politikë dhe qeverisje që ti kthehemi perspektivës evropiane”, deklaroi Basha.
Basha bën thirrje për një kthesë të madhe, për të shpëtuar vendin. Sipas tij, duhet bërë një punë shumë e madhe për të shkuar drejt Evropës vitin tjetër dhe të kërkojmë hapjen e negociatave.
“Rruga e hapur dhe në dorën tonë të përparojmë në këtë rrugë për tu bërë pjesë e BE, mos hapja e negociatave është refuzim ndaj krimit dhe korrupsionit që ka pushtuar vendin në qeverisjen Rama, politikës së kapur nga krimi dhe ekonomisë së kontrolluar nga paratë e drogës dhe krimit.
Refuzim personal ndaj Ramës, Tahirit, Xhafajt, Ballës, Gjiknurit, Ahmetajt, Dakos, Sejdinit, Roshit dhe kupolës politike të PS, pothuajse e gjitha e lidhur me krimin dhe drogën.
Është refuzim i pushtetit autokratik dhe personal të Ramës, manipulimit të zgjedhjeve, kapjes së drejtësisë dhe pushteteve, shkatërrimit të shtetit ligjor, zëvendësimit të ligjit me vullnetin personal të Ramës.
Rrëzim përfundimtar i politikës së fasadave, gënjeshtrave dhe manipulimit të opinionit për të fshehur keqqeverisjen, krimin, korrupsionit”, tha Basha.