BE: Eksporti i vaksinave do të kontrollohet rreptësisht

Bashkimi Evropian po vëndos kontrolle më të rrepta ndaj eksportit të vaksinave kundër koronavirusit, në përpjekje për të siguruar sa më shumë doza për fushatën e vaksinimit të popullsisë së bllokut ndërsa shtohen rastet e infektimeve.

Organi ekzekutiv i Bashkimit Evropian tha në prag të takimit të udhëheqësve të 27 vendeve anëtare të bllokut se ka një plan për garantuar që më shumë vaksina të prodhuara në vend të jenë në dispozicion të qyetarëve të bllokut, madje edhe nëse kjo bëhet përkundër ndihmës së vendeve jashtë Bashkimit Evropian.

Ky plan pritet të jetë një goditje ndaj Britanisë. Vaksinimi i shpejtë në Britani është parë me zili nga shumë vende të bllokut, kryesisht pasi ky vend përfundoi zyrtarisht divorcin nga blloku.

Të dhënat e fundit tregojnë se të paktën 45% e të rriturve në Britani kanë marrë të paktën një dozë, krahasuar me 14% në Bashkimin Evropian.

Komisioni i Bashkimit Evropian tha se do të vepronte sipas rasteve ndërsa vëmendja është përqendruar tek Mbretëria e Bashkuar dhe kompania anglo-suedeze AstraZeneca, e cila ka dy fabrika vaksinash në territorin e bllokut.

“Përmenda konkretisht Mbretërinë e Bashkuar”, tha Zëvendës Presidenti i Komisionit të Bashkimit Evropian Valdis Dombrovskis. “Që nga fundi i janarit, rreth 10 milionë doza janë eksportuar jashtë bllokut drejt Britanisë dhe asnjë dozë nuk është eksportuar nga Britania drejt BE-së. Pra është e qartë se duhet të shqyrtojmë këto aspekte të reciprocitetit dhe proporcionalitetit”, tha ai.

Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen tha se BE-ja ka miratuar eksportimin e 41 milionë dozave për 33 vende në gjashtë javët e fundit dhe beson se qëndron në krye të përpjekjeve ndërkombëtare për ndarjen e vaksinave.

Nën sistemin aktual të kontrollit të eksporteve, deri tani vetëm një dërgesë me vaksina është ndaluar nga 381 të tilla. Dërgesa në fjalë do të shkonte në Australi, vend i cili ka raste shumë të pakta infektimesh krahasuar me valën e tretë të infeksioneve që ka goditur shumë vende të Bashkimit Evropian.

Lexo edhe :   Ulet avioni i parë në Rinas pas 24 orësh, mbërrijnë vaksinat anti-covid

Zyrtarë të Organizatës Botërore të Shëndetësisë thonë se një valë e re infeksionesh po përhapet në të gjithë Evropën, pas një rënie të mëparshme gjashtë javore.

“Kemi siguruar doza të mjaftueshme për të gjithë popullsinë. Por duhet të sigurojmë shpërndarjen e shpejtë dhe të mjaftueshme për banorët e Bashkimit Evropian. Çdo ditë ka rëndësi”, tha Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen.

Për muaj me radhë Bashkimi Evropian dhe AstraZeneca kanë patur mospajtime dhe mosmarrëveshje lidhur me numrin e saktë të dozave të vaksinave dhe afatet e dërgesave të tyre. Disa kompani të prodhimit të vaksinave, përfshi Pfizer-BioNTech dhe AstraZeneca, patën vonesa në prodhimin e dozave gjatë dimrit, ndërsa u rritën kërkesat për vaksina në mbarë botën.

Kryeministri britanik Boris Johnson është përpjekur pët të ulur tensionet mbi vaksinat, ndëra ka zhvilluar biseda telefonike ditët e fundit me udhëheqës të Bashkimit Evropia, përfshi zonjën von der Leyen dhe Presidentin francez Emmanuel Macron.

“Të gjithë po luftojmë ndaj të njëjtës pandemi në mbarë kontinentin evropian”, tha zoti Johnson në një konferencë shtypi të martën. “Vaksinat janë një operacion ndërkombëtar”, tha ai duke shtuar se Mbretëria e Bashkuara do të “vazhdojë të punojë me partnerët evropianë për të siguruar vaksinimin”. “Ne në këtë vend nuk besojmë në bllokada të çfarëdo lloji vaksinash ose përbërësish vaksinash”, tha ai.

Megjithatë, Bashkimi Evropian këmbëngul se dy fabrika të firmës AstraZeneca në Britani duhet të konsiderohen si pjesë e bllokut për shpërndarjen e vaksinave./VOA/