Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka shkarkuar nga detyra prokurorin Artur Selmani. Ai mbante postin e prokurorit në Prokurorinë e Përgjithshme.
Selmani ka 15 vite që është pjesë e Prokurorisë së Përgjithshme, ndërsa trupa gjykuese që ka vendosur kundër tij përbëhej nga Roland Ilia, Firdes Shuli dhe Etleda Çiftja. Hetimi për të ishte bërë në tre kritere; pasurisë, integritetit dhe aftësive profesionale.
Selmani e ka filluar karrierën në institucionin e akuzës në fillim të viteve ’90, fillimisht si hetues dhe më pas si prokuror. Ai është pjesë e Prokurorisë së Përgjithshme prej më shumë se një dekade, ku ka mbajtur edhe role drejtuese. Paralelisht me punën në Prokurori, Artur Selmani ka punuar edhe si pedagog dhe ekspert trajnues pranë Shkollës së Magjistraturës.
Në shkurt 2017, prokurori Selmani u pezullua nga detyra me urdhër të ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla, për shkak të lehtësimit të akuzës për autorin e një masakre me tre viktima në vitin 2015 në qytetin e Vlorës. Prokuroria e Përgjithshme paralajmëroi hetim për “shpërdorim detyre”, por akuzat u rrëzuan 4 muaj më vonë.
Në fund të vitit 2017, Selmani kandidoi së bashku me 6 kandidatë të tjerë për postin e Prokurorit të Përkohshëm të Përgjithshëm. Sipas një relacioni të Kuvendit, vetëm 3 nga 7 kandidatët i plotësuan kriteret për këtë post, ndërkohë që mazhoranca votoi Arta Markun.
Ai u bë i njohur në media për pretendimet se kishte fituar miliona në lojërat e fatit.