Bashkimi Shqipëri-Kosovë/ Reagon Serbia: Do ketë pasoja të paparashikueshme

Kryetari i Zyrës për Kosovën në Serbi, Petar Petkoviç ka kërcënuar me pasoja të paparashikueshme tentativat e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë. Petar ka deklaruar se Kosova dhe Metohija janë pjesë integrale e territorit të Serbisë, shkruan Radiomitrovicasever.

“Kosova dhe Metohija, si pjesë integrale e territorit të Serbisë, nuk mund të bashkohen me asnjë shtet tjetër, dhe çdo përpjekje e njëanshme për ta bërë këtë do të shkaktonte pasoja të paparashikueshme dhe do ta shkatërronte përfundimisht çdo mundësi që marrëdhëniet serbo-shqiptare të zhvilloheshin në drejtim të miqësisë dhe bashkëpunimit”, tha Petkoviç.

Ai gjithashtu tha se koncepti i krijimit të një Shqipërie të Madhe është koncept fashist dhe nënkupton ndezjen e një fuçie baruti në Ballkan. Petkoviç, i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që të reagojnë urgjentisht për këto aludime dhe deklarata që kanë dalë.

Deklaratat për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë kanë dalë nga Kryeministri i zgjedhur Albin Kurti gjatë vizitës në Shqipëri. Ai ka deklaruar se duhet që të nxjerrin një ligj që lejon Kushtetutën e Kosovës për bashkim me Shqipërinë.