Kreu i PD-së, Lulzim Basha, në fjalimin që i paraprin fundit të protestës, tha se Europa dëgjoi thirrjen e tyre dhe se ata nuk do të ndalen deri në fitoren e kësaj beteje. Me tone të larta, kryedemokrati i mëshoi fort faktit nga selia e PD-së se kjo betejë do i hap rrugë zgjidhjes politike. “Rama ik, hapi rrugë zgjidhjes politike”, ishte mesazhi i radhës nga Basha, ku para qytetarëve deklaroi se beteja do të shkojë drejt stacionit, për “Shqipërinë si gjithë Europa”.
“Mesazhi i sotëm është i qartë dhe i prerë ndaj miqve dhe aleatëve tanë, dhe ndaj kundërshtarëve dhe armiqve të demokracisë se ne jemi gati të sakrifikojmë gjithçka për votën e lirë. Nuk do ta lejojmë kurrë despotizmin antievropian, të cilët kanë kapur drejtësinë dhe kanë bllokuar rrugëtimin tonë drejt Evropës.
Sot japim këtë mesazh të qartë dhe të vendosur. Këtë betejë e nisëm për Shqipërinë si gjithë Evropa, dhe tani është koha për zgjidhjen politike, largimin e Edi Ramës, qeveri tranzitore dhe zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Ne jemi gati që me gjithë faktorët e përgjegjshëm politik të vendit, të hapim rrugën e zgjidhjes së krizës, duke bërë të mundur së pari largimin e shkaktarit dhe pengmarrësit të demokracisë, të shtetit të së drejtës dhe përmes një qeverie tranzitore, garantimin dhe ndarjes së pushteteve, realizimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, dhe daljen e një qeverie të zgjedhur nga populli.
Forca jonë është bashkimi, vendosmëria, qëndresa dhe përballja, dhe përballje do të ketë deri në fitore. Sot në këtë mbrëmje të mbushur me shpresë, me mesazhe pozitive të shkrirjes të vullneteve tuaja, të vullnetit të popullit shqiptar dhe Evropës për ta çliruar Shqipërinë nga diktatura e krimit. Le të ndahemi me një mesazh të qartë dhe të prerë; se ne jemi gati ta çojmë këtë betejë deri në fund dhe paralajmërimi se kush mendon që me dhunën e krimit dhe paligjshmërisë do ta thyej këtë vendosmëri gabon rëndë, dhe pret vetëm përmbysje popullore”, tha Basha.