Kreu i PD-së, Lulzim Basha, tha se forca politike që ai drejton ka qëllime kryesore: krijimi i një shtrese të mesme dhe që institucionet t’i kalojnë qytetarëve shqiptarë.
I ftuar në emisionin “Opinion”, Basha foli për rëndësinë e një shtrese të mesme në një shoqëri demokratike. Ai e cilëson këtë shtresë si “lokomotivën e zhvillimit”, duke theksuar se ajo krijon pavarësi ekonomike.
Sipas tij, sistemi aktual ka dështuar, pasi vetëm 20 mijë individë në Shqipëri i plotësojnë kushtet ekonomike për të qenë pjesë e kësaj shtrese.
“Në vlerësimin ekonomik, shtresë e mesme në Shqipëri janë ata individë që kanë mbi 1 milion lekë të ardhura në muaj. Me këtë pavarësi financiare shtresa e mesme përbën lokolmotivën e zhvillimit të një vendi. Shtresa e mesme është garancia e demokracisë. Sa shqiptarë janë sot mbi 1 milion lekë? Vetëm 20 mijë shqiptarë kanë paga mbi 1 milion. që do të thotë se sistemi ka dështuar. Kemi 900 mijë të varfër dhe disa njerëz që janë multi miliarderë. Ligji i shtresës së mesme është se shtresa e mesme ndihmon vetveten që të shumëfishohet”, tha ai.