Kreu i PD-së, Lulzim Basha është shprehur se kryeministri Rama e konsideron si një bekim tërmetin dramatik të 26 nëntorit. Kjo sipas tij, pasi Rama do ta përdorë për qëllimet e tij.
Gjatë takimit me ish-deputetë të PD-së, Basha tha se nëse shteti do të kishte funksionuar atëherë numri i viktimave nga tërmeti do të ishte më i vogël.
“Sigurisht është situatë emergjence akoma dhe mund të ketë njerëz që ta shohin këtë si keqpërdorim politik të situatës. Ka një mënyrë për ta shmangur këtë – duke bazuar çdo denoncim dhe çdo qëndrim tonin tek faktet.
Kjo do të thotë që prania jonë në terren duhet shumëfishuar.
Strategjia e tij është e qartë – ky e konsideron tërmetin një bekim për të dhe do ta përdorë që të harrohet gjithçka. Në radhë të parë, të harrohen përgjegjësitë për tragjedinë e paralajmëruar të 26 nëntorit në Thumanë si pasojë e mosveprimeve të qeverisë pas 21 shtatorit 2019 dhe korrikut 2018 në Thumanë.
Janë viktima të cilat nuk duhet të ishin, nëse pushteti do të kishte ushtruar minimumin e përgjegjësisë. Ne u njohëm që në fillim me këtë fakt, por vendosëm moratorium derisa të përcillet edhe viktima e fundit”, tha ai.