Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka hedhur akuzat mbi mazhorancën për skandalin e publikimit të pagave. Në një konferencë për media, ai u shpreh se Rama është i vetmi që përfiton. Ai konsideroi skandalin e rrjedhjes së të dhënave personale, një zgjatim të skemës së patronazhistëve.
“Të dhënat më sensitive të qytetarëve të marra nga Drejtoria e Tatimeve apo të dhëna të tjera, ishin vënë në dispozicion shtabit elektoral të PD. Ai konfirmon të gjitha akuzat tona kur thotë që janë bërë copa-copa. Është vetëm konfirmim i skemës kriminale, i krimit elektoral, i ndërtimit të sigurimit të ri të shtetit me patronazhistët.
Ai është i vetëdijshëm për këtë. Kjo është arsyeja pse ka dalë t’i mbrojë patronazhistët publikisht. Janë ata që kanë ideuar skemën e vjedhjes së të dhënave të shqiptarëve. Do të ishte skandaloze po të kishte ndodhur para 12 vitesh kur u futëm në NATO, por është dyfish skandaloze që kemi 12 vite në NATO”, tha Lulzim Basha.
Kreu i PD-së, Lulzim Basha, është shprehur se ndaj organeve të drejtësisë ka një presion të madh politik, për të mos hetuar deri në fund skandalin e publikimit të listës së pagave.
“I bëj thirrje SPAK, BKH dhe SHISH që të krijojnë infrastrukturën e nevojshme, që personat përgjegjës për këtë skandal të vihen para drejtësisë. Të arrestojnë dhe të vënë përpara përgjegjësisë personat përgjegjës. Përfaqësitë e huaja në Tiranë, të ofrojnë mbështetjen për këto struktura, sepse informacionet pranë PD tregojnë për presion politik nga personat të përfshirë direkt në këtë skandal patronazhimi, sikundër vazhdon presioni që skandali për inceneratorët të mbyllet me Kokën që është vetëm bishti”, tha Basha.