Basha: Shqiptarët e kanë vendosur ndryshimin, të gjithë në kutitë e votimit

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha mbylli fushatën elektorale në sheshin ”Nënë Tereza” në kryeqytet.

Gjatë fjalës së tij, Basha u shpreh i bindur se shqiptarët e kanë vendosur ndryshimin, të cilën nuk ka fuqi dhe forcë që ta ndalë.

Basha i ftoi të gjithë qytetarët veçanërisht rinisë, që të marrë pjesë masivisht në votimet e së dielës, dhe të votojnë për ndryshim.

Lulzim Basha: ”Nuk ka fuqi, forcë ta ndalë këtë që po vjen. I pandalshëm është ndryshimi, besimi juaj, tek Shqipëria, i pandalshëm është besimi im tek ju, populli i Tiranës e Shqipërisë. Ejani të fillojmë ditën e dielë t’ia kthejmë Shqipërinë shqiptarëve, Tiranën banorëve të saj, të hapim rrugën e të ardhmes, për vogëlushët, prindërit, duke votuar numrin 9. Të gjithë tek kutitë e votimit, askush mos mungojë. Rini e Tiranës, priji ndryshimit. Rini e Shqipërisë, ju jeni ata që i dhatë zemrën kësaj fushate. Rindezët shpresën. Ju jeni ata që po i prini fitores së thellë dhe më të madhe. Dhe fitorja para të gjithëve do të jetë e juaja, rini e mrekullueshme e kombit tim.

Edhe 4 orë fushatë, edhe 2 ditë e 4 orë për t’u ndarë nga e keqja, për ta kthyer këtë shpresë në kutitë e votimit. Ditën e dielë për ndryshimin, voto numrin 9, për jetën dhe sigurinë voto numrin 9, për të ardhëm, për Shqipërinë, për Shqipërinë si gjithë Europa. Ejani pra miq, të derdhim këtë dritë shpresë, paqësisht, denjësisht, që bashkimi më i madh i shqiptarëve në 30 vite të shndërrohet në fitoren më të thellë ashtu siç do jetë e diela. E diela e bekuar e fitores, duke votuar numrin 9, bashkë për ndryshim.”