Basha refuzon të njohë rezultatin: Zgjedhjet nuk kishin lidhje me demokracinë

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka reaguar pas përfundimit të numërimit të votave, të cilat e nxjerrin fituese Partinë Socialiste.

Gjatë një konference për mediat nga selia blu, Basha nuk e njohu rezultatin e zgjedhjeve, dhe nuk foli për një dorëheqje të tij nga funksionet e tij.

Ndër të tjera, Basha u shpreh se zgjedhjet e 25 prillit nuk kishin lidhje me demokracinë, pasi u vodhën nga kreu i PSD Tom Doshi dhe kryeministri Edi Rama.

Lulzim Basha: ”Nuk mjaftoi sepse këto zgjedhje nuk kishin të bënin me demokracinë. Ne hymë në këtë betejë jo me një kundërshtar politik, por me një regjim që bëri gjithçka për ta shkatërruar garën e ndershme elektorale. Ata ndryshuan kushtetutën dhe kodin zgjdhor duke thyer të gjithë rregullat. Dhjetëra mijëra vota të pavlefshme, numri më i madh ndonjëherë dhe dy herë më shumë sesa diferenca mes dy palëve. Miliona euro të hedhura për të realizuar blerjen më të madhe industriale të votës duke shkaktuar deformimin më të madh të vullnetit të zgjedhësve. 

Ata përdorën milionat e koncesioneve të korruptuara,  vodhën të dhënat personale të qytetarëve shqiptarë, përdorën kriminelët dhe bandat, kërcënuan dhe shantazhuan votuesit, administratën, gazetarët dhe median  duke e bërë edhe më të madhe masakrën elektorale.  Edi Rama ka bashkëpunuar dhe vazhdon të bashkëpunojë hapur me përfaqësues të krimit si Tom Doshi që kanë gjithë botën demokratike kundër. Ai kandidoi përsëri përfaqësuesit e krimit në listat e tij.”