Basha: Rama s’del në debat se ka frikë, nuk përgjigjet dot për 8 vite në qeveri

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha e ka ftuar disa herë në debat publik kryeministrin Edi Rama, por ky i fundit ka refuzuar.

Në një intervistë në RTV Ora, Basha u shpreh se Rama nuk vjen në debat sepse ka frikë.

Sipas Bashës, ai është i dëshpëruar dhe nuk ka përgjigje për ato që duhet të përgjigjet si kryeministër në plot 8 vite.

Lulzim Basha: ”Është e njëjta histori e lodhur e cila tashmë në fund të 8 vjeçarit nuk pinë më ujë as brenda shtabit qendror të Partisë Socialiste. Të gjithë e kuptojnë, këto janë simptomat e një njeriu të dëshpëruar, i cili edhe njëherë e them, nuk ka përgjigje për pyetjen kryesore që duhet të përgjigjet një kryeministër që ka qeverisur jo katër, por plot 8 vite. Çfarë ke bërë këto 8 vite për këtë vend?”