Basha: Rama cicëron gënjeshtra ndaj meje, ekonomia po falimenton

Teksa kryeministri, Edi Rama i kërkon të dalë e të flasë për rolin e tij gjatë luftës në Kosovë, kryedemokrati Lulzim Basha thotë se ekonomia e vendit po falimenton.

Sipas tij, Rama po thotë gënjeshtra, ndërsa mijëra biznese po vuajnë rënien e fortë të xhiros.

Basha shprehet se bizneset e vogla po marrin kredi për të mbajtur derën hapur, dhe se prej muajsh nuk nxjerrin asnjë fitim.

Ai thotë se Rama nuk u jep ndihmë financiare qytetarëve që po vuajnë nga kriza e COVID-it, pasi taksat që mbledh ua shpërndan oligarkëve.

Postimi i Bashës në rrjetin social, Facebook

Ndërkohë që Rama shpenzon të gjithë kohën duke cicëruar gënjeshtra kundër meje, ekonomia jonë po falimenton.

Të dhënat krahasimore nga Fondi Monetar Ndërkombëtar dëshmojnë se Shqipëria është ekonomia më e nënfinancuar e Ballkanit Perëndimor.

Për 7 vite rresht Rama e ka shkatërruar ekonominë. Mijëra dyqane dhe njësi shërbimi si biznesi i Artan Muratit po vuajnë rënien e fortë të xhiros. Bizneset e vogla po marrin kredi për të mbaJtur hapur derën. Prej muajsh nuk nxjerrin asnjë fitim. Vendet e punës i kanë shkurtuar. Komunitetet rreth tyre janë varfëruar më shumë.

Kanë pritur që qeveria t’i ndihmojë një herë të vetme, siç kanë paguar taksat rregullisht. Por Edi Rama nuk ka kohë për problemet e shqiptarëve që e nxjerrin vetë bukën e familjeve të tyre. Edi Rama nuk ka as para për bizneset që mbajnë me bukë familjet e komuniteteve të tyre. Sepse taksat që mbledh prej tyre, Edi Rama i ndan me miqtë e tij.

Kjo është arsyeja pse Rama nuk u jep ndihmë financiare qytetarëve që po vuajnë nga kriza e COVID-it.

Ne do ta ndryshojmë këtë gjendje. Ne do të kujdesemi për biznesin, do të kujdesemi për të vetëpunësuarit, do të kujdesemi për të gjithë qytetarët dhe do të japim ndihmë financiare për çdo qytetar. Ne do të sjellim shpresë për Shqipërinë.